Shpëtim Idrizi: Sikur të ishin gjysma e referëve si Nuza, nuk do të ankoheshim

Prishtinë | 29 Qer 2020 | 11:22 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi ka komentuar ndarjen e drejtësisë ndaj skuadrës së tij në ndeshje të caktuara.

Idrizi ka lavdëruar punën e Genc Nuzës në ndeshjen kundër Drenicës, të cilën e fituan me rezultat 2:4, shkruan Insporti.com.

Trepça ’89 po thuajse xhiro pas xhiro është ankuar në ndarjen e drejtësisë dhe se po dëmtohet me qëllim.

Megjithatë, trajneri Idrizi mbrëmë i ftuar në emisionin “Sporti në KTV” ka deklaruar se me refer si Genc Nuza, klubi i tij nuk do të ishte ankuar.

“Javën e kaluar jemi dëmtuar shumë. Ndoshta me fol me fakte, ndeshjen ndaj Dritës është dashtë të jepen dy penallti për neve. Është e kundërta javën e kaluar kundër Flamurtarit, anulohet gol i rregullt, dy pozicione jashtë loje po të ishin këta refera si treshja e ndeshjes ndaj Drenicës, Nuza me kolegët e tij, që ishin edhe në ndeshjen me Ballkanin, normalisht nuk do të kishim kundërshtuar”.

Tutje, ai shtoi se në rast se ‘89shi bie nga Superliga të mos jetë për shkak të vendimeve të referëve, duke iu bërë apel referëve të kryejnë punën e tyre siç është më së miri.

Klubi nga Mitrovica dje fitoi ndeshjen në udhëtim kundër rivalit direkt për mbijetesë Drenicës.

Për ndarjen e drejtësisë në këtë ndeshje u përkujdes Genc Nuza si refer kryesor dhe asistentët e tij Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj. Vlen të theksojmë se Nuza është referi më i mirë në elitën e futbollit tonë.

Të ngjashme