“Shpresat Olimpike 2020”: KOK ndan 10 bursa për sportistë të rinj

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 13:07 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dhjetë sportistë të dalluar do të marrin bursa nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), raporton Ekonomia Online.

Artan Krasniqi (not), Fatjona Kasapi (xhudo), Betim Maliqi (karate), Albina Deliu ( atletikë), Besart Pireva ( boks), Alaudin Suma (atletikë), Edi Dvorani (shigjetari), Njomza Nuraj (taekwando), Vesa Gjinak (tenis) dhe Fatlum Brakaj (mundje), janë dhjetë sportistët që do të marrin bursa .

Presidenti Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani u ka thënë bursistëve se pret shumë angazhim nga ta në rrugën drejt suksesit.

“Sot është një ditë e veçantë për këta të rinj dhe të reja të cilët e  përjetuan përkujdesjen institucionale ndaj të arriturave të tyre. Padyshim në një konkurrencë të jashtëzakonshme, ju 10 sportistët keni qenë më të mirë se të tjerët për disa nuanca. Por nuancat e bëjnë dallimin dhe me këtë kemi dashur ta dëshmojmë se sportistët jo që janë në zemër të KOK-ut por,  janë vet zemra e KOK-ut. Ne presim nga ju që kjo të jetë një stimulim për tu angazhuar shumë më tepër dhe për të arritur më shumë dhe të ecni sigurt drejtë realizimit të ëndrrave tuaja”, u shpreh Hasani.

Kurse, Shasivar Haxhija, sekretar i KOK-ut, tha se mbështetja për sportistët e rinj po rritet nga viti në vit.

“Në këtë vit Komiteti Olimpik i Kosovës ka rritur numrin e bursistëve në dhjetë. Pra nga viti në vit, KOK-u po e rrit mbështetjen për sportistët elitar”, tha ai.

Ndërsa, Njomza Nuraj, sportiste e taekwandos, e cila është njëra nga dhjetë bursistët nga KOK-u, tha se kjo ndihmë është shumë e madhe drejt objektivave të saj.

“Duke marrë parasysh se që nëntë vite ushtrim nuk kemi marrë asgjë, kjo është një lehtësim sado i vogël për prindërit dhe për trajnerin. Tash e dimë që e kemi një përkrahje nga Komiteti dhe e dimë që nuk kemi nevojë t’i shikojmë problemet financiare gjatë pjesëmarrjes në gara por vetëm të vazhdojmë përpara”, u shpreh ajo.

E Besart Pireva, boksier, tha për Ekonomia Online se falënderimi më i mirë për KOK-un është që të sjellë medalje në Kosovë

“Thënë drejtën është një ndihmë shumë e madhe se e largon barrën prindërve tanë sepse,  vetëm me ndihmën e tyre kemi arritur të vazhdojmë deri në këtë pikë.  Mënyra më e mirë që ta falënderoj Komitetin është që të kem sukses dhe të kualifikohem në Olimpiadë dhe shpresoj që ta sjell edhe një medalje në Kosovë”, tha ai.

Të ngjashme