Shqetësime serioze për Messin dhe PSG-në: Leo ka telashe me gjurin dhe do të mungojë disa ndeshje

Prishtinë | 02 Nën 2021 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi ka telashe shumë më të mëdha me lëndime seç është menduar dhe atij do t’i duhet kohë për t’u shëruar plotësisht, që nënkupton se argjentinasi pritet të mungojë në disa ndeshje të Paris Saint-Germainit.

PSG-ja nuk e ftoi fare Messin për takimin e katërt në Grupin B kundër RB Leipzig në Ligën e Kampionëve të mërkurën dhe kjo nuk do të jetë ndeshje e vetme në të cilën do të mungojë këtë muaj ai, raporton Gazeta Express.

Tash e dy muaj, Messi vuan nga një dëmtim në gju, i cili nuk është përmendur deri tani. Ai e lëndoi gjurin kur e mori një goditje të ashpër nga Luis Adrian Martinez në fitoren e Argjentinës kundër Venezuelës në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës më 2 shtator.

Ndërhyrja e Luis Adrian Martinez ndaj Messit në ndeshjen Argjentina – Venezuela në shtator

Që prej atëherë, Messi nuk ka gjetur rehati dhe, edhe pse deri tani raportohej vetëm për një shqetësim muskulor të tij, tani klubi ka konfirmuar se Messi vuan edhe nga dhimbjet e gjurit të majtë.

Messi nuk është stërvitur rregullisht javët e fundit dhe të premten provoi të luante në fitoren e PSG-së kundër Lille në Ligue 1, por u detyrua ta braktiste fushën pas pjesës së parë, shkaku i dhimbjeve të vazhdueshme.

Shërimi i muskulit dhe gjurit do t’i marrë kohë Messit, prandaj ai pritet të mungojë në disa ndeshjet e ardhshme.

Messi pritet të udhëtojë drejt Spanjës për t’i shëruar lëndimet dhe për t’i dhënë fund telasheve fizike që e kanë munduar në dy muajt e fundit.

34-vjeçari është ende në kërkim të golit të parë në Ligue 1, që prej se iu bashkua PSG-së në verë si lojtar i lirë. Ai ka dështuar të shënojë në pesë paraqitje, prej të cilave vetëm dy i zhvilloi plotësisht.

Por forma e tij në Ligën e Kampionëve ka qenë plotësisht tjetër, sepse Messi i ka shënuar tri gola në tri paraqitje. 

Të ngjashme