Shqipëri-Francë inauguron “Arenën Kombëtare”

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Shqipëri-Francë do të jetë ndeshja e parë zyrtare dhe inaguruese në stadiumin më të ri në vendin tonë, në “Arenën Kombëtare” të kryeqytetit.

​Ndërkohë që kanë mbetur edhe dy ndeshjet e fundit për eliminatoret e kampionatit Europian, Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me qeverinë kanë vendosur që ndeshjen mes Shqipërisë dhe Andorës, 3 ditë përpara ndeshjes me Francën, më 14 nëntor, ta zhvillojnë në “Elbasan Arena”.

Një zgjedhje kjo për t’i lënë ekskluzivitetin e inagurimit të “Arenës Kombëtare” një ndeshjeje të madhe si ajo mes Shqipërisë edhe Francës më 17 nëntor.

Por pa mbërritur deri atje, më 3 nëntor do të jetë testi zyrtar i impiantit të ri më të madh dhe më modern sportiv në vend. Përfaqësues të UEFA-s që do të monitorojnë dhe kontrollojnë çdo sistem të këtij impianti të ri do të jenë të pranishme në Tiranë për ndeshjen mes Vllaznisë dhe Apollonisë, një takim ky i vlefshëm për kampionatin e femrave.

Gjithashtu një lajm deri diku pozitiv për sportëdashësit që kanë shprehur një interesim të madh për biletat e ndeshjes Shqipëri-Francë, është çmimi i tyre. Biletat e ndeshjes inaguruese të stadiumit për ndeshjen me Francën do të jenë me një çmim mesatar prej 2200 lekësh.

Çmimi më i lirë që do të dalë në shitje për këtë ndeshje do të jetë 1500 lekë dhe më i shtrenjti 5000 lekë. Ndërkohë që nuk do të dalë në shitje fare tribuna e “Arenës Kombëtare” për ndeshjen me Francën, pasi pjesa më e madhe janë ftesa, për UEFA-n, qeverinë, sponsorët dhe bashkëpunëtorët e FSHF-s, raporton tch.

Javën e ardhshme do të dalin në shitje biletat e të dyja ndeshjeve, me Andorën dhe Francën, ndërkohë që ndeshja testuese e femrave mes Vllaznisë dhe Apollonisë do te jetë e hapur falas për publikun që do të ketë kuriozitet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme