Shqipëria pëson sërish rënie në ranglistën e FIFA-s

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 10:20 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Shqipërisë ka rënë për katër vende, në pozitën e 66-të nga ajo e 62-të, në ranglistën e re të FIFA, e cila u përditësua sot, pas ndeshjeve të muajit qershor. Herën e kaluar, në prill, Shqipëria kishte rënë një pozitë më poshtë.

Nga ndeshjet e muajit qershor, kundër Islandës dhe Moldavisë, Shqipëria i ka humbur katër pikë, që kanë bërë që Edy Reja ta nisë detyrën e tij si trajner duke rënë për katër pozita në ranglistën e FIFA-s.

Kombëtarja kuqezi i zhvilloi dy ndeshje në kuadër të Grupit H të kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 gjatë muajit qershor, kur edhe debutoi Edy Reja në pozitën e trajnerit.

Reja e nisi karrierën e tij me Shqipërinë me disfatë me rezultat 1:0 kundër Islandës, që ka bërë që Shqipëria të humbë pikë nga kjo ndeshje.

Pikët e humbura nga ndeshja e parë, kuqezinjtë nuk arritën t’i kompensojnë me fitoren me rezultat 2:0 në shtëpi kundër Moldavisë, vetëm tri ditë më vonë, pasi që Moldavia ishte e renditur shumë më poshtë sesa Shqipëria nga FIFA, në pozitën e 129-të.

Algoritmi i FIFA-s bën që një Kombëtare të fitojë më pak pikë për fitore kundër Kombëtareve me renditje shumë më të dobët, ndërsa një skuadër mund edhe të fitojë pikë për barazime që janë të renditura shumë më mirë sesa ajo.

Ranglista e radhës e FIFA-s do të publikohet më 25 korrik, mirëpo gjatë kësaj kohe Shqipëria nuk mund të fitojë pikë pasi që nuk do ta zhvillojë asnjë ndeshje deri në shtator. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme