“Shtatorja e Vokrrit do të jetë më e mirë se buceta, ka disa opsione për lokacion”

Prishtinë | 12 Qer 2020 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Buceta e statujës së Fadil Vokrrit ka qenë shumë e komentuar këto ditë, mirëpo sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, thotëse statuja do t’i përngjajë më shumë legjendës së futbollit, ndërsa tregoi edhe propozimin e tij për vendosjen e shtatores.

Në dyvjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe legjendës së futbollit, Fadil Vokrrit, të martën, u zbulua buceta e shtatores së tij, që pritet të ndërtohet së shpejti

“Shtatorja e Vokrrit do të jetë më e mirë se buceta, ka disa opsione për lokacion”

Pas ceremonisë së zbulimit të bucetës, ku morën pjesë figura të shumta – si nga bota e sportit, edhe nga politika – Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, zbuloi se shtatorja do të kushtojë 49 mijë euro derisa hapësira se ku do të vendoset ajo do të diskutohet në mes Komunës së Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Shtatorja do të jetë 3 metra e gjatë.

Shumë tifozë mbetën të zhgënjyer me bucetën e shtatores së Vokrrit pasi që vlerësuan se ajo nuk i përngjan Vokrrit. Megjithatë, Salihu tha se modeli do të përmirësohet për t’i ngjasuar më shumë ish-presidentit të FFK-së.

“Është vështirë të transmetohet në skulpturë ai eksploziviteti që ai e ka pasur, por unë jam i bindur se fytyra dhe pjesa karakteristike e tij do të përmirësohet sepse ajo ka qenë vetëm një test se si do të duket. Jam i bindur se do t’i shfaqë karakteristikat e Vokrrit”, tha Salihu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

Salihu tregoi se përderisa ka disa propozime për vendosjen e statujës, edhe ai vetë e ka një ide se ku do të ishte vendi ideal për atë shtatore.

“Është propozuar të vendoset në një pjesë që ka shumë pak hapësirë, por duhet ta mendojmë prapë. Unë mendoj se nuk mund ta vendosim statujën brenda rrethojave sepse njerëzit duan të fotografohen para legjendës me familjarë”, tha Salihu në “Favorit”.

“Unë e kam një ide, për të cilën duhet të diskutoj edhe me Komunën dhe Ministrinë.  Ndoshta do të ishte perfekte ta vendosnim në pllatonë te Pallati i Rinisë, te shkallet, të drejtuar kah stadiumi”. 

Të ngjashme