Shumat e parave që i fiton kampioni i Kosovës në futboll

Prishtinë | 20 Maj 2018 | 11:11 | Nga

Një mundësi më shumë për t’u rritur financiarisht i është paraqitur kampionit të ardhshëm të Superligës së Kosovës në futboll me ndryshimin e formatit për kualifikim në Ligën e Kampionëve, edhe pse është hequr mundësia që kampioni kosovar të kualifikohet direkt në raundin e parë kualifikues.

Drita dhe Prishtina, dy skuadrat që janë duke e sfiduar aktualisht njëra-tjetrën për titullin e kampionit në Superligë, do të kenë një motiv shtesë për të fituar trofeun.

Sitemi i ri i kualifikimeve në garat e UEFA-s

Kampioni i ardhshëm i Kosovës, që do të marrë pjesë në garat para-kualifikuese për Ligën e Kampionëve, do të fitojë gati gjysmë-milioni euro nëse arrin të dalë i pari në një grup me katër skuadra, që përveç kampionit të Kosovës do të jenë edhe nga një skuadër prej tri vendeve të tjera: San Marinos, Gjibraltarit dhe Andorrës.

Saktësisht, nëse skuadra kosovare që merr pjesë në këtë fazë para-kualifikuese arrin të dalë e para në grup dhe të kualifikohet në rundin e parë kualifikues, do të shpërblehet me plot 480 mijë euro nga UEFA, raporton Insporti.

Ndeshjet do të zhvillohen në fund të muajt qershor në Gjibraltar dhe shorti do të hidhet para fillimit të garave. Fituesi nga ky grup do të vazhdojë kualifikimet e rregullta; pra, do të kalojë në raundin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve.

Më shumë ndeshje, më shumë të ardhura

Për këtë sistem të ri të garave kualifikuese për Ligën e Kampionëve, Insporti paraprakisht kishte kontaktuar me zyrtarë të FFK-së, të cilët kanë shpjeguar se “nuk luhet më drejtpërdrejtë në raundin e parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, pasi do të ketë grupe në një rund të parë para-kualifikues që është krijuar nga UEFA. Do të jenë katër klube në rundin e parë para-kualifikues, dhe njëra prej tyre kalon në raundin e parë të kualifikimeve”.

Nëse kalohet raundi para-kualifikues i Ligës së Kampionëve, cilado skuadër që shkon tutje shpërblehet me 260 mijë euro. Ndërkaq, 220 mijë euro janë të garantuara për cilëndo skuadër që merr pjesë në këtë fazë.

Grupi do të përbëhet nga katër skuadra nga katër ligat më të dobëta të Evropës, ato liga të cilat kanë koeficientin më të ulët nga UEFA: një nga Gjibraltari, një nga Kosova, një nga San Marino dhe një nga Andorra.

Kampioni i Kosovës po ashtu fiton edhe 50 mijë Euro nga Federata e Futbollit e Kosovës, gjegjësisht nga të drejtat televizive i takon shpërblimi linear prej 20 mijë Eurosh dhe 30 mijë Euro të tjera në formë shpërblimi, sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Në total Insporti raporton se kampioni i Kosovës fiton 270 mijë Euro të garantuara, me mundësi shumë të madhe të fitojë edhe 260 mijë të tjera nga para kualifikimet për Ligën e Kampionëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme