Sigal Prishtina fiton ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Yllit

Prishtinë | 26 Pri 2018 | 08:05 | Nga

Kampionia në fuqi e elitës së basketbollit tonë, Sigal Prishtina, ka triumfuar përballë Golden Eagle Yllit me tetë pikë epërsi, 84:76.

Në Pallatin e Sporteve në Prishtinë, “Bardhekaltrit” u treguan skuadër më e fuqishme në fazën e sulmit, ndërsa në çerekun e fundit u mobilizuan edhe në mbrojtje për të arritur fitoren e parë në serinë e Play-Offit, transmeton Sporti në KTV.

Mysafirët e nisën më mirë përballjen dhe arritën të triumfonin në fund të periodës së parë, 18:14.

Përkundër disavantazhit, prishtinasit u kthyen në lojë në 10-të minutëshin e dytë. Në krye me kapitenin Edmond Azemin që ishte në superformë, Sigal Prishtina arriti që në pushim mes pjesëve të shkojë me avantazh prej 11-të pikësh, 42:31.

Pas pushimit, Ylli ishte rival i denjë madje 4 minuta e 48 sekonda para përfundimit të kësaj periudhe, kaluan edhe në avantazh me pikët e Leonard Mekaj.

Mirëpo epërsia e mysafirëve nuk zgjati shumë, pasi Prishtina tregoi forcën e vet dhe në fund arriti ta fitojë ndeshjen e parë të serisë së gjysmëfinaleve të Play-Offit.

Më të dalluarit në fitore ishin Edmond Azemi që realizoi 20 pikë, 5 kërcime e 5 asistime. Edhe Granit Rugova realizoi 20 pikë, 5 kërcime e 2 asistime.

Nga ana tjetër, te ekipi nga Theranda lojë të mirë pati Leonard Mekaj që shpërtheu sidomos në çerekun e tretë, dhe në total shënoi 23 pikë, 6 kërcime e 4 asistime.

Edhe përballja e dytë do të zhvillohet të shtunën në kryeqytet, ndërsa në finale kualifikohet ekipi që arrin tri fitore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme