Sigal Prishtina kërkon mbështetjen e tifozëve për ndeshjen historike

Prishtinë | 06 Nën 2017 | 15:11 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Klubi i basketbollit Sigal Prishtina ka kërkuar përkrahjen e tifozëve për sfidën e nesërme ndaj ekipit Belfius Mons-Hainaut.

Ndeshja e nesërme është e rëndësisë së veçantë sepse një fitore eventuale ndaj ekipit belg do të bënte që Sigal Prishtina të kalonte fazën e kualifikimeve për FIBA Europe Cup, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i KB Prishtina, Blerand Stavileci tha se edhe pse janë të motivuar për ndeshjen e nesërme prapë se prapë loja do të jetë e vështirë.

Stavileci gjithashtu shtoi se mbështetja e tifozëve të basketbollit do të ishte një ndihmesë shtesë për basketbollistët për të fituar ndeshjen të cilën ky i fundit e quajti historike.

“Bëhet fjalë për një ndeshje e cila është e një rëndësie të jashtëzakonshme, me një fitore kemi mundësinë që të bëjmë një lëvizje në lojërat ndërkombëtare. Sado që është një ekip i vështirë ne në radhë të parë e shfrytëzojmë rastin që kanë qenë të përfshirë në këtë aventurë. E para ndeshja që e kemi nesër ka me qenë mundësia jonë si një meq-point për me kaluar fazën e radhës. Duke e parë rëndësinë e ndeshjes unë sot bëj thirrje për të gjithë përkrahësit për të gjithë sportdashësit me i përkrah sa më shumë djelmoshat tanë dhe klubin që deri më tani ka qenë mjaft e suksesshme”.

“Një kualifikim potencial do të thoshte shumë për basketbollin. Ne prej fillimit i kemi marrë këto gara me seriozitet natyrisht që sporti e ka edhe atë anën e fatit. Sivjet me të vërtetë do të jemi një kundërshtar i denjë për me kaluar fazën e parë grupore. Besoj që prej anës sonë gjithçka është e gatshme dhe këndej atmosfera është shumë e mirë. Mbesin më shumë se 24 orë që me i bërë përgatitje finale. Do të doja nga ju që me promovua ndeshjen me na ndihmuar neve dhe krejt sportistëve që sa më shumë me pas të pranishëm në sallë sepse besojmë që përkrahja e publikut do të jetë vlera shtesë për fitore”.

Thirrje për përkrahje nga tifozët bëri edhe basketbollisti Edmond Azemi.

“Kur je vendas dhe kur luan para tifozëve, Plisave, normal që jemi optimist se do të fitojmë këtë lojë ,ne jemi motivuar, besojmë se edhe numri i madh i Plisave do të jenë prezent poashtu edhe njerëzit e tjerë që e duan basketbollin në një histori të re që hapet dhe do të na ndihmon shumë në fitore”.

E Dardan Berisha përkundër optimizmit tha se do të jetë lojë e vështirë.

“Ka qenë edhe për ta befasi kualiteti jonë atje. Po pres një atmosferë të mirë. Me qenë prezent edhe Plisat por edhe tifozët besojmë që së bashku me arrit një rezultat pozitiv. Për neve është lojë historike, me rëndësi me qenë atmosfera e mirë me rëndësi është me fituar në fund të fundit suksesi është shumë me rëndësi. Jemi optimistë se kemi me fituar por ka me qenë shumë e vështirë”.

Sigal Prishtina ka bilanc 3-1 në kuadër të Grupit G të FIBA Europe Cup. Bardhekaltërit në 2 ndeshjet e fundit duhet të fitojnë së paku njërën për të garantuar fazën tjetër të garave.

Çmimi i biletave për ndeshjen e nesërme do të jetë 1 euro.

Të ngjashme