Skautat pushtojnë stadiumin e vogël “Fadil Vokrri”

Prishtinë | 11 Nën 2019 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Stadiumi “Fadil Vokrri” zë vetëm 12 mijë e diçka shikues, por në ndeshjen 17 nëntorit të pranishëm nuk do të jenë vetëm “dardanët” dhe “tre luanët” por edhe shumë skautë [agjentë futbolli] nga ekipet e mëdha evropiane.

Ditë më parë u bë e ditur nga mediat spanjolle se gjiganti mbretëror Real Madrid do t’i dërgonte disa skautë për ndeshjen Kosovë-Angli që të përcillnin yllin e Manchester Cityt, Raheem Sterlingun. Në radarin e këtij klubi mësohet se është edhe ylli i West Ham United, Declan Rice.

Ndërkohë, edhe ekipi tjetër i madh spanjoll, Barcelona, thuhet se do të jetë në “Fadil Vokrri” përmes skautëve të saj për të përcjellur yjet e të dyja kombëtareve – edhe pse nuk bëhet e ditur se ku do të jetë fokusi, saktësisht.

Sot, gazeta turke Fanatik zbuloi që edhe skautët e Tottenham Hotspur do të jenë në Fadil Vokrri po ashtu. Por, kësaj here në qendër të vëmendjes së tyre do të jetë ylli i Kosovës që luan te Fenerbahçe, Vedat Muriqi, shkruan Periskopi.

Në ndeshjen e zhvilluar mes Fenerbahçes dhe Kasimpasas, Vedat Muriqi pësoi një lëndim dhe nuk dihet se a do të jetë njëqind për qind i aftë për ndeshjen kundër Çekisë.

Të ngjashme