Skuadrat e NBA-së pritet t’u kthehen stërvitjeve së shpejti, me masa strikte

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Klubet e NBA-së pritet të marrin leje për të rihapur komplekstet stërvitore për përdorim të kufizuar qysh të premten, më pak se dy muaj pasi shpërthimi i koronavirusit ka pezulluar stinorin në ligën e madhe të basketbollit, shkruan agjencia Reuters.

Pa udhëzimet e zhurmshme të trajnerëve dhe ndihmës-trajnerëve, stërvitjet nuk do të jenë siç janë zakonisht në NBA, por është një hap para drejt normalizimit për ligën.

Lojtarëve i kërkohet të mbajnë maska brenda kompleksit stërvitor, me përjashtim të periudhës kur janë të angazhuar në aktivitet fizik, thuhet në udhëzuesin e ligës.

Skuadrat po ashtu duhet të dezinfektojnë çdo pajisje të përdorur, nga topat e basketbollit e deri te peshat.

Por, edhe urdhrat e qëndrimit në shtëpi në disa shtete të SHBA-së mund të luajnë faktor. Derisa disa janë hapur, disa tjera kanë mbajtur masat kufizuese strikte.

Houston Rockets dhe Denver Nuggets janë në mesin e klubeve që po synojnë të hapin menjëherë palestrat, sipas raportimeve të mediave, ku Teksasi dhe Colorado më nuk i ka masat kufizuese.

Shumica e sporteve profesioniste nëpër botë janë pezulluar, ku shumë liga nëpër Amerikë të Veriut po e shqyrtojnë nëse duhet të vazhdohet stinori dhe si të vazhdohet.

Klubet e ligës MLS të mërkurën i janë kthyer stërvitjeve me rregulla strikte, ndërsa seria e garave me vetura NASCAR planifikon t’u kthehet garave më 17 maj, por pa shikues.

NBA ka qenë një nga ligat e para në Amerikën e Veriut që është goditur nga koronavirusi, ku ndeshjet u anuluan në moment të fundit kur basketbolli i Utah Jazz, Rudy Gobert, rezultoi pozitiv me koronavirus në mars.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme