Slovani nuk po e mendon eliminimin

Prishtinë | 30 Kor 2019 | 09:12 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Slovanit, Jan Kozak, ka insistuar se ekipi i tij ka ardhur në Prishtinë për t’u kualifikuar në raundin tjetër të Ligës së Evropës. Kozak të hënën në konferencën për shtyp ka thënë se futbollistët e tij e dinë se çfarë duhet të bëjnë për të siguruar kualifikimin që mbetet synim i klubit.

Në rast se Slovani nuk kualifikohet në raundin e tretë, atëherë trajneri Kozak ka pranuar se për kampionin e Sllovakisë ky do të ishte dështim i madh, shkruan sot Koha Ditore.

Slovani, të martën (sot), luan ndeshjen e kthimit në kuadër të raundit të dytë eliminator të Ligës së Evropës kundër Feronikelit. Ndeshja nis në orën 18:00 dhe zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në ndeshjen e parë, të zhvilluar para një jave në Bratislavë, Slovani fitoi 2:1.

“Ne kemi në favorin tonë rezultatin nga ndeshja e parë dhe për ndeshjen e kthimit e kemi parasysh se çfarë duhet të bëjmë për t’u kualifikuar në raundin tjetër. Personalisht, pres të avancojmë dhe vetëm nëse arrihet kjo do të jem i kënaqur. Ky është synimi i vetëm i yni në këtë ndeshje, pavarësisht respektit për Feronikelin që luan në shtëpi”, është shprehur Kozak.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme