Solskjaer: E padrejtë të kritikohen futbollistët

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, beson se është e padrejtë të kritikohet futbollistët për pagat e tyre të larta gjatë krizës globale të shkaktuar nga koronavirusi, pasi që thotë se ata janë duke bërë më të mirën e vet për të ndihmuar.

Lojtarët e Manchester Unitedit do ta dhurojnë 30 për qind të pagës së tyre për spitalet lokale dhe Shërbimin Kombëtar Mjekësor, përderisa klubi ka premtuar se do të vazhdojë t’i paguajë të gjithë punëtorët, edhe ata pa kontratë dhe që punësoheshin vetëm gjatë ditëve të ndeshjeve në Old Trafford, si rojet e sigurimit, transmeton Gazeta Express.

E përditshmja britanike, DailyMail, raporton se kapiteni i Manchester Unitedit, Harry Maguire, e nisi inciativën për ta dhuruar një pjesë të pagës për punëtorët e shërbimit mjekësor në Britani të Madhe dhe menjëherë e mori përkrahjen e bashkëlojtarëve.

Iniciativa e lojtarëve të Manchester Unitedit vjen në një moment kur futbollistët u kritikuan shumë që nuk kanë arritur marrëveshje me klubet dhe Federatën e Futbollit të Anglisë për t’i ulur pagat.

Premierliga propozoi që lojtarët të pranonin t’i ulnin pagat e tyre për 30 për qind, përderisa Sekretari i Shëndetësisë dhe politikanë të shumtë britanikë i kanë kritikuar publikisht futbollistët që s’po e pranojnë këtë propozim, në mënyrë që klubet të kenë mundësi ta paguajnë stafin josportiv.

Por, Solskjaer s’pajtohet me këto kritika.

“Për mua, është e padrejtë të bësh thirrje ndaj një individi apo disa futbollistëve si grup sepse unë e di se lojtarët bëjnë mjaft shumë punë për komunitetin dhe lojtarët janë duke bërë shumë për ta ndihmuar këtë situatë”, ka thënë Solskjaer.

“Diskutimet janë duke vazhduar mes lojtarëve dhe klubeve se për çfarë kontribute është më së miri të bëhen. Nuk është e lehtë për askënd dhe të bëhet thirrje ndaj dikujt në mënyrë specifike nuk është e drejtë sipas meje”.

“Po bëhen gabime dhe janë bërë edhe më parë nga shumë njerëz, por ne kështu mësojmë. Tani duhet të marrin vendime më të mirë, vendime të mira. Mendoj se të gjithë duam t’i ndihmojmë mjekët, komunitetet dhe mendoj se është e rëndësishme që çdo klub të bëjë çfarë mendon se është më e mira”.

“Ne jemi të gjithë njerëz të mirë dhe jam i sigurt se të gjithë duam që e gjitha kjo situatë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Për mua, është e rëndësishme që të ndiqen udhëzimet qeveritare”.

“Ne jemi shembuj. Nganjëherë ne jemi heronj në futboll; për momentin ne duhet ta bëjmë një hap prapa. Heronjtë e vërtetë janë punëtorët në vijat e frontit. Mendoj se të gjithë e vlerësojnë dhe e adhurojnë punën që ata po e bëjnë”.

Të ngjashme