Solskjaer: Man United duhet të përforcohet për ta arritur nivelin e Manchester City

Prishtinë | 12 Maj 2021 | 09:08 | Nga Ekonomia Online

Ole Gunnar Solskjaer e ka pranuar se Manchester Unitedi duhet të përforcohet këtë verë, nëse dëshiron të ketë çfarëdo shprese për ta ngushtuar hendekun me rivalin Manchester City.

Humbja e Unitedit 2:1 ndaj Leicester City të martën i mjaftoi Cityt ta fitojë titullin në Premierligë, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në përfundim të sezonit.

Kjo nënkupton se City e ka përfunduar çdo sezon mbi Unitedin në tabelën e Premierligës që prej se Sir Alex Ferguson u largua nga Old Trafford.

Solskjaer e pranon se pa përforcime të bujshme në verë, Unitedi nuk do të mundë të garojë kundër skuadrës mbresëlënëse të Pep Guardiolës.

“Nëse dëshiron t’i sfidosh ata, atëherë duhet të përforcosh skuadrën. Urime atyre. Ata kanë pasur një sezon fantastik. Unë jam shumë i kënaqur me djemtë e mi që ia dolën të qëndrojnë pas Manchester City, një skuadër që vlerësohet më e mira në Evropë”, tha Solskjaer.

“Tani duam ta bëjmë hapin e radhës dhe do të na duhen nja dy përforcime për ta forcuar skuadrën”, shtoi ai.

Të ngjashme