Solskjaer: Pogba mezi po pret të kthehet në skuadër

Prishtinë | 29 Jan 2020 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka thënë se mesfushori francez Paul Pogba mezi po e pret kthimin në skuadër, pasi legjenda e klubit, Paul Scholes, e akuzoi francezin se s’dëshiron t’i ndihmojë skuadrës.

Paul Pogba nuk pritet të kthehet në skuadër edhe për pak kohë, pasi e bëri operacion kyçin e këmbës këtë muaj. Ai i ka bërë vetëm dy paraqitje në Premierligë për skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer që nga fillimi i tetorit, shkaku i këtij lëndimi, transmeton Gazeta Express.

Manchester Unitedi po përballet me një listë të gjatë të lojtarëve të lënduar, përfshirë këtu edhe yjet e tjerë të ekipit të parë, si Marcus Rashfordi dhe Scott McTominay.

Paul Scholes beson se Djajtë e Kuq nuk duhet të llogarisin në Pogban për ta bërë dallimin kur ai të kthehet në skuadër, duke sugjeruar se 26-vjeçari do të ankohet për ndonjë gjë dhe do të tentojë të mos luajë për t’u larguar nga Old Traffordi.

“Nuk mendoj se Pogba është duke u kthyer nga lëndimi i tij. Por, edhe nëse do të ishte duke u kthyer, ai do të ankohej për diçka tjetër për të tentuar të mos luajë – për të tentuar ta sigurojë largimin nga klubi”, ka thënë Scholes.

“Ne vazhdojmë të flasim për lojtarët që po mungojnë në skuadër, por edhe skuadra që e patëm sot duhet të jetë e mjaftueshme për ta mposhtur Burnleyn”.

Para gjysmëfinales së Carabao Cup kundër Manchester Unitedit, Solskjaer i doli në mbrojtje Pogbas, duke i kundërshtuar pretendimet e ish-bashkëlojtarit të tij.

“Pauli e ka pasur një sezon të tmerrshëm me lëndime dhe mezi po pret të luajë futboll, Kështu që nëse ka një gjë që e di për Paulin është se atij i pëlqen shumë të luajë futboll dhe të stërvitet dhe kjo ka qenë në mendjen e tij”, ka thënë Solskjaer.

“Kushdo që është i lënduar, ai mezi pret të kthehet në fushë. Ai ka qenë duke luajtur përkundër dhimbjeve, kështu që jam i sigurt se do ta shijojë futbollin kur të shërohet nga lëndimi i tij”.

“Unë e shoh një djalosh që është i lodhur nga lëndimet dhe dëshiron të luajë futboll. Paul ka qenë ka qenë profesionist i nivelit më të lartë, kështu që unë s’kam asnjë dyshim se do ta shijojë lojën kur të kthehet”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme