Son Heung-min kompleton shërbimin ushtarak, vlerësohet me çmim

Prishtinë | 08 Maj 2020 | 11:26 | Nga Ekonomia Online

Ylli i Tottenhamit, Son Heung-min ka kompletuar të premten shërbimin bazik ushtarak prej tri javësh. Son ka shërbyer në vendin e tij, Kore të Jugut, ndërsa është vlerësuar me çmim si performuesi më i mirë në mesin e 157 të trajnuarve.

Son është kthyer në vendin e tij muajin e kaluar për të kryer shërbimin ushtarak gjatë pandemisë së koronavirusit, që ka bërë që të pezullohet futbolli në Angli dhe në shumicën e vendeve.

Të gjithë jug-koreanët duhet të shërbejnë dy vjet në ushtri, por Son përbën përjashtim pasi ka fituar medaljen e artë në Lojërat e Azisë në vitin 2018.

Ndonëse ka kompletuar kurset stërvitore, Son duhet të bëjë 544 orë shërbim ndaj komunitetit brenda 34 muajve.

“Ai ka pranuar çmimin ‘Pilsung’ që është një prej pesë çmimeve që ndahen për performuesit më të mirë”, ka cituar agjencia e lajmeve Yonhap një oficer ushtarak.

“Të gjitha kurset janë vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe strikte, ndërsa oficerët e tij të stërvitjes kanë thënë se ai ka kryer trajnimin me besnikëri”.

Rekrutët janë të ekspozuar ndaj gazit lotsjellës, bëjnë ecje nëpër male dhe marrin trajnime për armët gjatë shërbimit.

Son ka marrë nota maksimale në vlerësimin mendor, ndërsa ishte i shkëlqyeshëm në të gjitha temat, duke shfaqur edhe precizitet të lartë në qitje.

Ai tani pritet të kthehet në Angli ku po bëhen plane për vazhdim të Premier Leagues.

Të ngjashme