Sondazhi i Median: Shumica e çekëve e perceptojnë Rusinë si kërcënim për sigurinë e vendit

Prishtinë | 23 Pri 2021 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Shumica e qytetarëve çekë e perceptojnë Rusinë si një kërcënim për sigurinë e vendit, tregon sondazhi i kryer nga agjencia Median për Radion kombëtare të Çekisë.

Sondazhi u krye në fillim të javës, menjëherë pasi zyrtarët qeveritarë informuan për përfshirjen e Shërbimit Ushtarak rus të Inteligjencës (GRU) në një depo të municioneve në Vrbětice, e cila la të vdekur dy persona.

Deri në çfarë mase Rusia paraqet një kërcënim për sigurinë e Çekisë? Kjo ishte një nga pyetjet që Median bëri në më shumë se 1 mijë çekë mbi moshën 18 vjeç.

Në një shkallë nga 1 në 10 – ku 1 do të thotë aspak dhe 10 do të thotë një kërcënim i madh – ata e vlerësuan rrezikun në 6.5. Mbi 40 për qind e atyre që u pyeten e perceptojnë Rusinë si një kërcënim serioz dhe gati një e pesta si një kërcënim i madh.

Sipas kreut të agjencisë Median, Přemysl Čech, Rusia perceptohet si një kërcënim sigurie kryesisht nga pesonat që jetojnë në qytete të mëdha ose votues të Partisë Demokratike Qytetare.

“Rreth 25 për qind e njerëzve që jetojnë në qytete të mëdha thanë se Rusia përbënte një kërcënim të madh për ta. Midis votuesve të Partisë Demokratike Qytetare, 34 për qind ishin të pajtimit me deklaratën dhe midis mbështetësve të ish-kandidatit presidencial Jiří Drahoš, ishte 26 për qind”, tha Čech.

Rreth 10 për qind e të anketuarve nuk e konsiderojnë Rusinë aspak një kërcënim. Një e katërta e tyre janë votues të Partisë Komuniste dhe një e pesta e tyre janë mbi 60 vjeç.

“Në të njëjtën kohë, të anketuarit në këtë grupmoshë kanë qëndrimet më të theksuara ndaj Rusisë, si në kuptimin pozitiv ashtu edhe negativ”, thotë ai.

Perceptimi negativ mund të lidhet me faktin se shumë prej tyre përjetuan okupimin e Çekosllovakisë nga trupat sovjetike më 1968.

Median gjithashtu pyeti çekët për mendimin e tyre mbi vendimin e Qeverisë çeke për të përjashtuar korporatën shtetërore ruse Rosatom nga tenderi i termocentralit Dukovany.

Sondazhi sugjeron që një shumicë e qytetarëve e mbështesin qeverinë në këtë vendim.

“Përjashtimi i Rosatom mbështetet nga një total prej 65 për qind. Të anketuarit për këtë çështje janë nga qytetet e mëdha, me një diplomë universitare dhe votues të Partisë Demokratike Qytetare dhe Partisë Pirate. Rreth 27 për qind e popullsisë çeke janë kundër përjashtimit. Midis votuesve të Partisë Komuniste, është 77 për qind”, tregon Čech.

Të ngjashme