Sonte do t’i jepet një tjetër rast Muriqit, mundësi për t’u shfrytëzuar

Prishtinë | 12 Maj 2021 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi kosovar e ka realizuar vetëm një gol këtë sezon në Serie A me Lazion. Nëse nuk e shfrytëzon mundësinë e sontme, si të tjerat paraprake, ai mund të largohet nga Lazio gjatë verës.

Vedat Muriqi do ta ketë sonte njërën prej mundësive të fundit për ta treguar veten në Lazio.

Trajneri Simone Inzaghi do t’ia japë rastin sulmuesit kosovar të luajë nga minuta e parë me Parmën.

Në fakt, trajneri italian e ka ndërmend të bëjë rotacion sonte duke e pasur parasysh se pas tri ditësh do ta zhvillojë derbin me Romën.

Dhe, prizrenasi duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi, nëse dëshiron ta vazhdojë eksperiencën në kryeqytetin italian.

Atij i janë dhënë disa raste deri tash, por nuk ka arritur të lërë gjurmë tek “Biancocelesti”.

Andaj, nëse një rast të tillë nuk e shfrytëzon edhe sonte, atëherë me gjasë ish-futbollisti i Rizesporit dhe Fenerbahçes mund të largohet nga Lazio gjatë verës.

“Muriqi riprovon. Mundësi për t’u shfrytëzuar”.

Ky është titulli i të së përditshmes së njohur italiane “La Repubblica” rreth rastit që do t’i jepet sonte sulmuesit shtatlartë.

“Ky është rast me të cilin do të diskutohet dhe vlerësohet sulmuesi, i cili pikërisht kundër Parmës, në Kupën e Italisë, kishte gjuajtur me kokë, që më pas u shndërrua në autogol të portierit në fitoren 2:1”, e vazhdoi shkrimin mediumi italian.

“Muriqi ka qenë mjaft i kritikuar nga tifozët sepse paraqitjet nuk kanë qenë në lartësi të çmimit (u ble për afro 20 milionë euro). Sonte Pirati duhet t’ia japë një kontribut konkret skuadrës”, përfundon shkrimi i “La Repubblicas”.

Në Serie A, Muriqi e ka realizuar vetëm një gol, atë ndaj Atalantas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme