Sonte finalja e Ligës së Kampionëve: PSG-ja e kërkon trofeun e parë, Bayerni të gjashtin

Prishtinë | 23 Gus 2020 | 10:34 | Nga Ekonomia Online

Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich do të takohen sonte në finalen e Ligës së Kampionëve, garën më të madhe dhe më të pasur evropiane për klube.

Bayerni është në ndjekje të trofeut të gjashtë në Ligën e Kampionëve, por të parit që prej vitit 2013.

PSG-ja merr pjesë për herë të parë në finale, dhe shpreson se do të bëhet vetëm klubi i dytë francez – pas Olympique Marseille më 1993 – që e fiton këtë trofe.

“Pikërisht kjo është arsyeja pse jam këtu”, tha Mbappe në një konferencë për media të shtunën.

“Unë gjithmonë kam dashur ta shkruaj historinë e futbollit francez. E kam edhe një mundësi tjetër për ta bërë këtë të dielën”, shtoi ai.

Finalja do të luhet në stadiumin e Benficas “Estadio da Luz” në Lisbonë.

Rrugës drejt finales, Bayerni e turpëroi Barcelonën duke e shkatërruar 8:2 në çerekfinale, pasa se ta mposhte një klub tjetër francez, Lyonin, në gjysmëfinale.

PSG-ja mezi e kaloi çerekfinalen, pasi iu deshën dy gola shumë të vonshëm për ta mundur 2:1 skuadrën mbresëlënëse të Atalantës, para se ta mposhte me shumë lehtësi klubin e dytë gjerman, RB Leipzig.

Të ngjashme