Sot dita e Majlindës

Prishtinë | 07 Gus 2016 | 10:35 | Nga

Sytë e gjithë opinionit sportiv në Kosovë dhe jo vetëm, sot do të jenë të drejtuara në Rio, ku në skenë do të shfaqet krenaria jonë, Majlinda Kelmendi.

Atë që nuk e bëri katër vite më parë në Londër nën petkun e Shqipërisë, xhudistja pejane do të bëjë përpjekje ta arrijë sot në Rio, për t’ia siguruar medaljen e parë olimpike shtetit të Kosovës dhe pse jo ta bëjë tërë botën ta dëgjojë himnin e shtetit më të ri në Evropë.

Synimi i Majlindës është i qartë – medalja e artë, për çka është edhe favorite, por dihet se rëndësi të madhe në nivele të tilla sportive luan kontrollimi i emocioneve, derisa s’do mend se për të shkuar me sukses deri në fund të rrugës duhet të të përcjellë edhe fati.

Trajneri i saj, Driton Kuka, ka paralajmëruar se Majlindën e pret një rrugë e vështirë, pasi qysh në luftën e parë pritet të ballafaqohet me francezën Gneto, e cila është një rivale shumë e papërshtatshme e Majlindës.

Megjithatë, besohet se dështimi në Londër para katër vjetësh nga një rivale e dobët i ka shërbyer si leksion krenarisë së sportit tonë dhe ajo nuk do të lejojë që diçka e tillë t’i ndodhë sërish.

Majlinda në vitin e fundit ka qenë bindshëm më e mira e planetit në xhudo, prandaj sot e meriton të ngjitet në podium dhe të derdhë lotët e gëzimit. Natyrisht se medalja e artë do të ishte “qershia mbi tortë“ dhe të gjithë e presim një sukses të tillë, por sigurisht se edhe një rezultat tjetër që do ta prekte podiumin do të ishte i pranueshëm.

Forca Majlindë, le të jetë edhe fati me ty Krenaria e Shtetit!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme