Sot përballja me Skocinë, përcakton të ardhmen e kuqezinjve

Prishtinë | 17 Nën 2018 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Numërimi mbrapsht ka nisur. Shqipëria luan ndaj Skocisë ndeshjen e fundit në grupe të Nations League. Mundësitë për kualifikim tashmë janë kompromentuar, do të duhet një mrekulli nga ato që ndodhin rrallë në futboll. Një fitore 4-0 e kuqezinjve në “Loro Boriçi”, e ndërthurur me një sukses minimal të skocezëve ndaj Izraelit tri ditë më pas, do të thoshte një mrekulli për kuqezinjtë.

Presidenti Duka ishte i qartë. “Nëse fitojmë dhe e mbyllim grupin me pikë të barabarta me rivalët, nuk mund të konsiderohet një dështim”. E lexuar mes rreshtave, një fitore i lejon trajnerit të tentojë kualifikimin në Europian edhe nëpërmjet kualifikueseve.

Çfarë ndodh me një humbje? Vendi i fundit dhe rrëzimi nga Liga C do të linte pak vend për përkufizimin e kësaj aventure. Gjithsesi nuk luhet për Panuccin, Shqipëria luan fatin e saj. Luhet për të kthyer besimin dhe prestigjin, me epokën “post De Biasi” që po rezulton vërtet e vështirë.

Shqipëria ka fituar vetëm një ndeshje në 7 takime të luajtura gjatë vitit 2018. Klima nuk është më e mira, por për lojtarët, rezultatet e fundit mund të shërbejnë për të shtrënguar fort dhëmbët dhe provuar deri në fund këtë herë, përcjell Klan Kosova.

Europiani është aty, për t’u tentuar, edhe nëse nuk hyhet nga dera e Nations League, por bazat për të ardhmen hidhen që tani.

Në “Hampden Park” humbisnim 2-0, me pengjet e një goli jashtë loje dhe sidomos për mundësitë e shpërdoruara para portës. Këtë herë nuk do të jenë Migjen Basha dhe Elseid Hysaj, krijuesi i lojës dhe një lider i mbrojtjes dhe i gjithë skuadrës.

Duhet të mos pësojmë dhe, mbi të gjitha, të gjejmë rrjetën kundërshtare, në mision i parealizuar në tri ndeshjet e fundit. Na duhet forcë, shpirt grupi, inteligjencë dhe besim. Skocia nuk është një kundërshtar i pakalueshëm. Në “Loro Boriçi” luhet për të tashmen dhe të ardhmen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme