Sot shorti i çerekfinales dhe gjysmëfinales në Ligën e Kampionëve

Prishtinë | 15 Mar 2019 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Shorti për çiftet çerekfinaliste dhe çiftet gjysmëfinaliste do të zhvillohen në të njëjtën kohë, sot, në shtëpinë e futbollit evropian në Nyon të Zvicrës. Ceremonia e shortit do të fillojë në orën 12:00.

Të përfshirë në short do të jenë klubet që u kualifikuan nga ndeshjet e 1/8 të finales: Ajaxi, Barcelona, Juventusi, Liverpooli, Manchester City, Manchester Unitedi, Porto dhe Tottenhami.

Në këtë fazë të gjitha klubet mund të përballen me njëra-tjetrën sepse nuk ka rregull që i ndalon klubet nga i njëjti vend të garojnë ndërmjet vete, si dhe nuk ka renditje të klubeve më të mira dhe atyre më të dobëta, si në fazat paraprake.

Manchester City dhe Manchester Unitedi nuk do të kenë mundësi të luajnë në shtëpi në të njëjtën natë e as për dy net radhazi, për shkak të një vendimi të marrë nga autoritet përgjegjëse lokale.

Nëse që të dy skuadrat do ta kenë ndeshjen kthyese në shtëpi dhe do të luajnë në të njëjtën datë, radhitja e përballjes së Manchester Unitedit do të ndryshohet dhe “Djajtë e kuq” do ta luajnë ndeshjen e parë në shtëpi, e jo të dytën.

Kjo mund t’i prishë punë skuadrës së Ole Gunnar Solskjaer pasi që klubi që e luan ndeshjen e dytë në shtëpi e ka një epërsi më të madhe për ndeshjen. Megjithatë, kjo është vendosur sipas rregullit të UEFA-s që thotë se klubi që është renditur më lart në tabelën e sezonit të kaluar në ligë do të ketë përparësi.

Short do të ketë edhe për finalen, pasi që duhet të vendoset cila skuadër të luajë si vendas në finalen që do të zhvillohet në stadiumin e Atletico Madridit, Wanda Metropolitano.

Oraret e ndeshjeve:

9 dhe 10 prill: Çerekfinalet, ndeshjet e para

16 dhe 17 prill: 
Çerekfinalet, ndeshjet kthyese 

30 prill dhe 1 maj: 
Gjysmëfinalet, ndeshjet e para 

7 dhe 8 maj: 
Gjysmëfinalet, ndeshjet kthyese 

1 qershor: 
Finalja – Wanda Metropolitano, Madrid 

Të ngjashme