Sot vendoset për të parin e KOK-ut

Prishtinë | 25 Mar 2021 | 09:32 | Nga Ekonomia Online

Besim Hasani, Ismet Krasniqi dhe Linda Shala janë kandidatët e vetëm që do të garojnë për ta fituar besimin që ta drejtojnë në katër vjetët e ardhshëm Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK). Të tre kandidatët janë shprehur optimistë se do ta fitojnë garën për të parin e KOK-ut. Hasani, Krasniqi dhe Shala javën e shkuar kanë paraqitur edhe programet e tyre në adresë të asamblistëve dhe Federatave sportive. Asambleja e Punës dhe ajo Zgjedhore e KOK-ut do të nisë nga ora 15:00, të enjten, dhe do të mbahet në hotelin “Emerald” në Prishtinë. Fillimisht është paraparë të mbahet Asambleja e Punës, ndërsa më vonë ajo Zgjedhore.

Kreu aktual i KOK-ut, Besim Hasani, është optimist se do ta fitojë edhe një mandat tjetër. Hasani në krye të KOK-ut është që nga viti 1996. Ai është edhe kryetar i Federatës së Karlingut të Kosovës, i zgjedhur në vitin 2011, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës dhe Sportit të Kosovës. Në të kaluarën Hasani ka fituar bindshëm garën me kundërkandidatët tjerë duke pasur përkrahjen e madhe të asamblistëve. Por, për mandatin e ri, vlerësohet se do të jetë garë e ngushtë. Edhe më të ngushtë e kanë bërë garën ndryshimet në disa federata, që pritet të jenë vendimtare.

“Unë besoj se do ta fitoj këtë garë dhe do ta vazhdoj punën time. Jam optimist për këtë pasi kam ende çka t’i jap komunitetit sportiv”, ka thënë Hasani, i cili është në krye të KOK-ut tashmë 24 vjet.

Favorite e sheh veten edhe Shala që bazën deleguese e ka nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).

“Besoj fuqishëm që do ta kem përkrahjen e kuvendarëve, përfaqësuesve të federatave sportive dhe se do të zgjidhem kryetare e Komitetit Olimpik të Kosovës”, ka thënë Shala për KOHËN.

Ajo ka shtuar se dallon prej Hasanit, kryetarit aktual të KOK-ut, dhe kandidatit tjetër, Krasniqi, për shkak të përvojës së saj. Mirëpo, edhe Ismet Krasniqi, që bazën deleguese e ka nga Federata Atletike e Kosovës (FAK), thotë se ka përkrahje të mjaftueshme për t’i mposhtur dy kundërkandidatët e tjerë dhe thotë se përfundimisht ka ardhur koha për ndryshime në KOK.

“Unë kam marrë përgjegjësinë për të ngritur zërin tim dhe për të sjellë idetë e mia të zhvillimit përpara, pasi jam i bindur që mund të kontribuoj në zhvillimin e sportit në Kosovë duke u bërë presidenti i ardhshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës. Fokusi im kryesor ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përfshirja e njerëzve profesionistë dhe të përkushtuar në punën e KOK-ut dhe lëvizjes sportive, si dhe Lëvizjes Olimpike. Unë premtoj se politikat dhe stafi im menaxhues do të jenë gjithëpërfshirëse, dhe unë gjithmonë do t’ua jap shansin të gjithëve, të cilët dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Komitetit Olimpik. Unë do të bëj çmos të promovoj vlerat reale të demokracisë dhe do të shërbej për nevojat e komunitetit sportiv dhe për nevojat e Komitetit Olimpik. Shpresoj se komuniteti i sportit do te vlerësojë programin tim pozitivisht gjatë fushatës zgjedhore dhe do të më përkrahë”, ka thënë Krasniqi.

Zgjedhjet ishte kërkuar të mbaheshin pas Lojërave Olimpike, që mbahen gjatë verës në Tokio, e ku Kosova pretendon të shkojë me më shumë se pesë norma olimpike.

Madje kërkon që nga Tokio të kthehet edhe me medalje olimpike. Kosova e ka fituar një medalje olimpike. Është xhudistja Majlinda Kelmendi që në vitin 2016, në Rio, fitoi medaljen olimpike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme