Spadafora thotë se gjasat janë të vogla që të vazhdohet stinori në Serie A

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Sportit të Italisë, Vincenzo Spadafora të mërkurën ka thënë se ka pak gjasa që të vazhdohet stinori në Serie A të Italisë për shkak të pandemisë COVID-19. 

Ndeshjet në Serie A janë pezulluar më 9 mars, kur janë marrë masa të rrepta kufizuese në vend për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Italia është një nga vendet që është prekur më së rëndi nga koronavirusi, ku janë regjistruar mbi 200 mijë të infektuar dhe më tepër se 27 mijë të vdekur. 

“Unë shoh një rrugë shumë të ngushtë për rikthimin e Serie A. Po të isha një president klubi do të përqendrohesha në stinorin e ardhshëm”, ka thënë Spadafora për televizionin “La7”. 

Franca dhe Holanda kanë marrë tashmë vendime që të mos vazhdohet stinori, ndërsa Premier League e Anglisë, Bundesliga e Gjermanisë dhe Serie A e Italisë po vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të mbaruar në fushë stinorin aktual, po ashtu edhe La Liga e Spanjës. 

“Vendimet në Francë dhe Holandë mund të shtyjnë Italinë të ndjekë këtë vijë, që mund të bëhet vija evropiane”, ka thënë Spadafora. 

Ai ka shtuar se shumica e presidentëve të klubeve të Serie A së shpejti mund të kërkojnë anulimin e stinorit dhe përgatitjen për stinorin e ardhshëm. 

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka njoftuar se masat kufizuese në Itali do të zbuten nga 4 maji, ndërsa stërvitjet ekipore ka gjasa të lejohen  më 18 maj. 

Federata e Futbollit të Italisë (FIGC) ka bërë gati një protokoll mjekësor për stërvitje, por Spadafora ka thënë se ekspertët shkencor të qeverisë nuk e kanë vlerësuar të mjaftueshëm protokollin dhe se diskutimet do të vazhdojnë. 

“Nëse vazhdohet kampionati, atëherë sigurisht se do të jetë pa shikues”, ka thënë Spadafora. 

Kanë mbetur edhe 12 xhiro deri në fund të kampionatit të Italisë, plus edhe disa ndeshje tjera të mbetura. Juventusi kryeson me një pikë epërsi ndaj Lazios. 

Golashënuesi më i mirë në këtë edicion të Serie A, Ciro Immobile i Lazios është i gatshëm për vazhdimin e garave.

“Unë nuk dua të kthehem në fushë vetëm se Lazio është në vend të dytë në renditje, por dua të bëjë këtë pasi më mungon ajo që dua, profesioni im”, ka thënë Immobile për “Lazio Style Radio”.

“Unë thjeshtë po kërkoj qartësi si qytetar i Italisë. Unë jam në një profesion të caktuar dhe po pres lajmin se kur mund të kthehem në punë. Thjeshtë duam të kthehemi në punën tonë. Jemi të gatshëm të luajmë edhe në të nxehtin e verës, pasi mund të jemi edhe për shpërqendrim për njerëzit atje të cilët nuk do të kenë as mundësinë të shkojnë në pushime. Gjithë lojtarët e klubeve tjera me të cilët kam folur po ndjehen njëjtë. Si është e mundur që të më lejohet të vrapoj në park e jo në fushë stërvitore”, ka thënë Immobile, që ka shënuar 27 gola në 26 ndeshje në Serie A këtë edicion.

Të ngjashme