Sporti i Kosovës i gatshëm të përballet me Coronavirusin

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Futbollit e Kosovës kanë thënë se deri më tani nuk janë kontaktuar nga  institucionet e larta të shtetit rreth koronavirusit edhe pse Covid-19 tashmë ndodhet afër kufijve të Kosovës. Në këto organizata janë të gatshëm t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës eventuale të institucioneve të shtetit që t’i mbyllin dyert e objekteve sportive për shikues apo edhe në rastin më të keq me pezullim të aktiviteteve sportive.

Koronavirusi ka “paralizuar” shumë gara sportive në mbarë botën, ku ose janë pezulluar ose po zhvillohen pa praninë e shikuesve me mundësi të ndërprerjes. Së fundmi në Shqipëri u konfirmuan dy raste që rezultuan me koronavirus gjë që e shtyri Qeverinë Shqiptare të kërkojë pezullim të aktiviteteve sportive deri më 3 prill, shkruan Gazeta Express.

Koronavirusi është konfirmuar edhe në Maqedoni e Serbi. Kosova zyrtarisht ende mbetet e paprekur nga Covid-19 edhe pse virusi tashmë ndodhet afër kufijve të saj. Ndërkohë që sot në QKUK-së në Prishtinë  kanë kërkuar ndihmë dy vajza, të cilat dyshohet se mund të jenë prekur nga koronavirusi. Analizat për to pritet të dalin sot gjatë ditës. Ndërkohë, Qeveria dhe QKUK po bëhen gati për çdo rast për t’u përballur me sfidën e quajtur “Corona”.

Mirëpo, deri më tani institucionet e shtetit ende nuk kanë kontaktuar me organizatat sportive në vend, organizimet sportive të të cilave rreth vetes grumbullojnë masë të madhe të njerëzve.

Në Superligën e Kosovës në futboll tashmë gara kampionale është në vlugun e saj dhe është bërë tejet interesante me shumë kandidatë për titull dhe shumë ekipe të rrezikuara për të rënë nga liga. Si e tillë së fundmi po tubon numër të madh shikuesish. Ndërsa, rregull parandalues i koronavirusit është shmangia e pjesëmarrjes në tubime publike.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) – sportit më të popullarizuar në vend – i kanë thënë se janë të gatshëm të përballen me sfidën eventuale, ndonëse deri më tani kjo organizatë nuk është kontaktuar nga institucionet e larta shtetërore.

“Fillimisht shpresojmë që ky virus të mos depërtoje në Kosovë. Deri më tani nuk jemi kontaktuar nga institucionet e larta dhe relevante të shtetit. Normalisht që për ne shëndeti publik është mbi të gjitha dhe jemi të gatshëm të bashkërendohemi dhe koordinohemi me institucionet  tjera të shtetit nëse vjen nevoja”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

“Ne i kemi menduar se mund të përballemi edhe me pezullim, përkatësisht shtyrje të kampionatit apo të mbyllen dyert për shikues. Shpresojmë të mos vijë puna deri aty por nëse kjo kërkohet prej nesh për ta parandaluar përhapjen e virusit sigurisht se do ta bëjmë siç po e bëjnë gjitha federatat e shteteve tjera”, deklaroi Salihu

Kurse, institucioni më i madh sportiv në vend, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), i cili nën ombrellën e vet i ka të gjitha federatat sportive, ka thënë se me kujdes po e përcjell situatën rreth koronavirusit.

“KOK është duke i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit në vend dhe Rajon sa i përket virusit Corona. Deri në këto momente, KOK-u nuk ka marrë ndonjë letër nga Ministria e Sportit, e Shëndetësisë apo e Arsimit, për të ndërmarrë ndonjë masë parandaluese për aktivitetet sportive apo edhe vetë sportistët. Çdo veprim i KOK-ut do të bëhet edhe në koordinim me Qeverinë dhe institucionet përkatëse”, deklaroi për Gazetën Express zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi.

Koronavirusi Covid-19 deri më tani ka prekur mbi 110 mijë persona në krejt botën, dhe rreth 3900 kanë vdekur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme