Sportistët e mëdhenj që shpërthyen në skenën politike

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 15:40 | Nga

Ditë më parë ylli i kriketit Imran Khan fitoi në zgjedhjet e përgjithshme në Pakistan. Ai shfrytëzoi famën që krijoi si lojtar për të mbledhur vota dhe ia doli. Por nuk është i pari ndër sportistë që ka ndjekur këtë rrugë.

Khan, 65-vjeçar, më 1996, pak pasi u pensionua nga sporti u fut në ujërat e politikës. Pas 16 vjetëve madhështore në kriket ku ishte edhe kapiten i Pakistanit, Khan vendosi të bëhet politikan, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.

Mirëpo edhe në karrierën e tij të re iu deshën shumë vjet për ta bindur popullin se është kandidat serioz dhe shumë i fuqishëm për skenën politike. Dhe, ja ku është: nga 11 gushti do të marrë detyrën e kryeministrit të vendit. Ai është sportisti i fundit që ka shpërthyer në skenën politike. Të tjerët janë:

George Weah – president i Liberisë

Gjatë karrierës si futbollist, George Weah ka luajtur për ekipet më të mëdha të Evropës si PSG, Milan, Chelsea e Manchester City.

Arsene Wengeri ishte i pari që e solli në Evropë, pasi Weah në vitin 1998 iu bashkua Monacos. Weah vlerësohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave në Afrikë, pasi ka fituar tituj kampioni në Serie A e Ligue 1.

Gjithashtu ai e ka fituar edhe “Topin e Artë” si futbollisti më i mirë në botë, duke u bërë afrikani i parë me këtë çmim. Por pas përfundimit të karrierës si futbollit, Weah në vitin 2003 iu fut politikës. Vitin e shkuar ai u zgjodh president i Liberisë, pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale duke marrë më shumë se 60 për qind të votave.

Manny Pacquiao – senator në Filipine

Ka karrierë shumë të suksesshme në boks. Pacquiao ka shkruar historinë e këtij sporti duke u shpallur kampion bote në tetë kategori të ndryshme. Ai në total ka fituar 11 tituj kampioni në botë. Si hero nacional i Filipineve, Pacquaio ka tentuar të bëjë karrierë edhe në basketboll, muzikë dhe aktrim.

Mirëpo me së miri e ka gjetur veten në politikë, profesion që nuk e ka penguar të boksojë. Në qershor të vitit 2016, Pacquiao është zgjedhur senator i Filipineve me mandat gjashtëvjeçar, post të cilin do ta mbajë deri në vitin 2022.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme