Sportistët evropianë mendojnë se janë infektuar nga Coronavirusi në tetor

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Sportistët franceze besojnë se janë infektuar me koronavirusin e ri në Lojërat Botërore Ushtarake në Wuhan në tetor, 20 ditë para se të regjistrohej rasti i parë në Kinë, shkruan “Daily Mail”.

Kjo informatë vjen pasi francezi Amirouche Hammar (43), ka qenë i infektuar me COVID-19 në fillim të dhjetorit, siç është njoftuar.

Spitali ku është trajtuar Hammar për dhembje gjoksi ka ritestuar mostrat dhe ka zbuluar se mostrat që janë marrë më 27 dhjetor ishin pozitive me COVID-19. Nuk dihet se ku është infektuar Hammar, ndonëse bashkëshortja e tij punon afër aeroportit të Parisit “Charles de Gaulle”.

Një numër i sportistëve franceze që ishin në Lojërat Ushtarake Botërore nga 18 tetori deri më 27 tetor në Wuhan kanë treguar se kishin simptoma të një gripi të rëndë gjatë asaj ngjarje.

Elodie Clouver, kampione e botës në pentathlon modern, ishte pyetur më 25 mars nëse është e frikësuar që të kalojë verën në Japoni në Lojërat Olimpike.

Ajo i ishte përgjigjur: “Jo, pasi mendoj se me Velentinin (parnteri i saj, po ashtu garues i pentathlonit) kemi kaluar COVID-19. Ne ishim në Wuhan në Lojërat Botërore Ushtarake në fund të tetorit. Pas lojërave, u sëmurëm keq. Valentini humbi tri ditë stërvitje. Unë po ashtu isha e sëmurë. Kisha gjëra që nuk i kam pasur kurrë më parë. Ne nuk ishim të shqetësuar pasi asnjëri nuk po fliste për këtë. Shumë sportistë në Lojërat Botërore Ushtarake ishin sëmurë. Ne së fundi ishim në kontakt me një mjek ushtarak që na tha: ‘Mendoj se e keni pasur, pasi shumë njerëz nga ky delegacion i sëmurën’”.

Delegacioni francez që po garonte në Lojërat Ushtarake në Wuhan – vetëm 20 ditë para se personi i parë kinez të raportohej zyrtarisht se është i infektuar me koronavirus – ishte i përbërë nga 402 sportistë, ndërsa në lojëra morën pjesë 10 mijë sportistë nga mbarë bota.

Sipas kanalit televiziv francez “BFMTV”, një numër i sportistëve u kthyen në Francë me simptome të pazakonta, përfshirë temperaturë dhe dhembje trupi.

Sipas kanalit televiziv, asnjë nga sportistët që u kthyen nuk u testuan dhe Ushtria Franceze që ishte përgjegjëse për të organizuar sportistët në Lojërat ushtarake ka konfirmuar se nuk ka dashur të testojë asnjë sportistë.

Mjekët kanë spekuluar se virusi në Francë ka mundur të jetë prezent edhe para dhjetorit, në nëntor apo tetor.

Një sportist për BFMTV, që ka preferuar të mbetet anonim, ka thënë se fillimisht ka menduar se thjeshtë është ftohur.

Mirëpo, kur doli lajmi për shpërthimin e koronavirusit në Wuhan, shumë sportistë në grupe në WhatsApp kanë nisur të hamendësojnë nëse është e mundur se ata kanë qenë të infektuar po ashtu.

Tash që Amirouche Hammar në Francë ishte infektuar me virus në dhjetor, po i kushtohet vëmendje më e veçantë sportistëve që morën pjesë në Lojërat Ushtarake.

Mediumet lokale raportojnë se që kur Elodie 31-vjeçare kishte folur për media më 25 mars, shumë sportistëve iu është kërkuar të mos flasin për gazetarë dhe të referohen mediat te kreu i komunikimit të ushtrisë franceze.

Sipas mediumeve franceze, sportistët që ishin në Wuhan kanë marrë telefonata nga ushtria disa javë më parë duke iu thënë se nuk kanë qenë të infektuar.

Një nga sportistët, që po ashtu ka preferuar të mbetet anonim, ka thënë: “Ne na është thënë: nuk ka rrezik, jeni larguar më 28 tetor dhe virusi së pari erdhi më 1 nëntor”.

Mediumet franceze raportojnë se sportistë të sëmurë ka pasur edhe në delegacione tjera, përfshirë atë të Suedisë, ku anëtarët e delegacionit suedez ishin kthyer në Suedi me temperaturë të lartë.

Rreth 100 persona nga Forcat Ushtarake Suedeze morën pjesë në Lojërat Botërore Ushtarake në Wuhan, epiqendrën e koronavirusit dhe qëndruan në qytet për dy javë.

Disa garues ishin sëmurë dhe ishin kontrolluar për virus, por raportohet se asnjëri nuk ka dal pozitiv.

Kjo informatë vjen pasi epidemiologu i qeverisë së Suedisë, Anders Tegnell ka thënë se është shumë e natyrshme të llogaritet se përhapja e virusit në Skandinavi ka ndodhur nga nëntori.

“Nuk ka pasur asnjë përhapje të infeksionit jashtë Wuhanit, derisa e pamë më vonë në Evropë”, ka thënë Tegnell për agjencinë e lajmeve “TT”. “Por, mendoj se mund të gjesh raste individuale në mesin e udhëtarëve nga Wuhani që ishin atje në nëntor apo dhjetor të vitit të kaluar. Kjo duket shumë e natyrshme”.

Në Suedi rasti i parë zyrtar me koronavirus ishte një femër nga Jonkopingu, që u testua pozitive më 31 janar pasi u kthye nga Kina. Ajo është rikuperuar që nga atëherë.

Suedia është një nga vendet e pakta që nuk ka marrë masa të rrepta kufizuese.

Të ngjashme