Sportistja holandeze i vlerëson stërvitjet në Kosovë si shumë të vështira

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Një muaj më parë në Kosovë ka qëndruar ekipi i femrave i Holandës në xhudo.

Xhudistet më të mira holandeze kanë stërvitur së bashku me ekipin e Kosovës në xhudo, në sallën e klubit Ippon në Pejë. Ato është dashur të largohen një ditë më herët se që kishin planifikuar për shkak se gjendja nga koronavirusi po rëndohej dhe kufijtë po mbylleshin.

Por xhudistet holandeze për pesë ditë qëndrimi në Pejë janë bindur me cilësinë e xhudisteve kosovare dhe me stërvitjet e forta që bëhen nën urdhërat e trajnerit Driton Kuka.

Për ditët në Kosovë së fundi ka folur xhudistja 20-vjeçare Pleuni Cornelisse. Ajo ka medalje të bronztë botërore për juniore, ndërsa vlerësohet me të ardhme të ndritur.

“Trajneri ynë ishte në Kosovë edhe vitin e kaluar. Ai organizoi një udhëtim për një grup prej nëntë xhudisteve. Është dashur të qëndrojmë gjashtë ditë por për shkak të pandemisë dhe anulimit të shumë udhëtimeve, jemi larguar një ditë më herët. Kosova ka një ekip vërtetë të fortë dhe stërvitjet ishin shumë të vështira. Por mua më kanë pëlqyer ato stërvitje”, ka thënë Cornelisse për “JudoCrazy”.

Holandezja garon në kategorinë deri 57 kilogramë, njëjtë si Nora Gjakova.

“Kam stërvitur me Norën. Ajo është vërtetë e fortë. Ishte përvojë e mirë për mua”.

Në fakt në Kosovë vazhdimisht vijnë xhudiste nga vende tjera për të stërvitur me ekipin kosovar, që i takon elitës botërore, raporton Koha.net.

Të ngjashme