Stadiumi historik i Dohas larg prej atyre të Kupës së Botës

Prishtinë | 02 Shk 2021 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Dy prej stadiumeve të kupës së botës “Katari 2022”, do të presin klube të mëdha të futbollit prej të enjtes. Por gjendja e tyre është larg më e mirë se ajo e stadiumit “Doha Sports Stadium”. Terreni modest, i pari në Doha me një fushë bari, gjendet në zemër të qytetit të vjetër, të rrethuar nga shtëpi të ulëta prej betoni, inventar modest i bareve dhe një stacioni autobusi. Pavarësisht nga pjesa e jashtme e thjeshtë me mure të ulëta, stadiumi “Doha Sports Stadium” ka pritur titanë futbolli, përfshirë këtu Pelen, si dhe boksierin Muhammad Ali, i njohur si Cassius Clay deri në vitin 1964, qëkur hapi dyert në vitin 1962.

“Ky stadium do të thotë shumë për mua. Unë jam rritur në këtë stadium. Fillimi im ishte në këtë stadium me yjet e mëdhenj”, tha ish-ylli i Katarit dhe i ekipit Al-Sadd, Al-Sadd Hassan Mattar. “Gjithçka filloi këtu në atë kohë dhe ishte shumë bukur”.

Katër projektorë shihen mbi lagjen modeste, e cila është larg hoteleve dhe blloqeve të zyrave të grumbulluara në anën e kundërt të qytetit të Dohas, që njihet si “West Bay”.

Në anën e kundërt të stadiumit është stadiumi “Al-Bayt” me kapacitet 60 mijë ulëseve dhe ai do të presë ndeshje të Kupës së Botës në vitin 2022. Stadiumi modern përmban suita hoteli me pamje nga fusha dhe ballkone në tribuna.

“Ky ishte stadiumi kryesor në Katar dhe tifozët mbushnin gjithmonë tribunat”, kujton Mattar për stadiumin modest e historik që ka një kapacitet prej katër mijë ulëseve. “Kam kujtime të këndshme. Ky stadium ishte i vetmi me bar të mbjellë në Doha”.

Mattar tha se duke parë njerëz si braziliani Pele në stadiumin e tij, ishte frymëzuar së bashku me shumë bashkëvendas tjerë për të luajtur futboll, sport që në ditët moderne është numër një në Katar. Mirëmbajtja e fushave me bar është një sfidë e mundimshme, në vendin ku temperaturat e verës zakonisht kalojnë mbi 50 gradë celsius. Në stadiumin “Khalifa”, që gjendet rreth 15 kilometra në perëndim e që u hap në vitin 1976, gjithashtu do të mbahen ndeshje të Botërorit të vitet të ardhshëm. Ndërsa punëtorët e këtij stadiumi janë të angazhuar që verës ta ngjyrosin barin për të ndihmuar në kapërcimin e stinës së nxehtë.

“Kalimi nga ky stadium në stadiumet e reja është një ndryshim i madh dhe duhet pranuar këtë. Mirëpo, një stadium i tillë historik nuk bën të lihet anash”, insistoi Mattar.

Tani stadiumi modest ka marrë mbështetjen e ish-sundimtarit të Katarit, sheikut Hamad bin Khalifa Al-Thani sipas atyre që janë përfshirë. Sipërfaqja e tij e gjelbër në ditët e sotme përdoret për stërvitjet e arbitrave të Katarit që janë me stemën e FIFA-s. Gjithashtu në këtë stadium zhvillohen edhe ndeshje të gjeneratave të reja por jo edhe duele të rëndësishme. Vlera e trashëgimisë së tij tashmë është nënvlerësuar pasi ky stadium është eklipsuar nga shtatë stadiumet e reja të Katarit që janë ndërtuar në vitet e fundit.

“Stadiumet e reja janë false për shkak se janë bërë vetëm për botëror”, shtoi Mattar.

Një tjetër kritikë për organizimin e spektaklit global të futbollit në Katar është se vendi ka një histori të kufizuar sa i përket këtij sporti. Disa fotografi të venitura, por të shfaqura me krenari në pavijonin e “Doha Sports Stadium” flasin për një traditë modeste, por të veçantë të futbollit, e cila daton para shkëlqimit dhe magjepsjes së ambicieve sportive ndërkombëtare të Katarit.

“Ne ngjiteshim te gardhi i stadiumit dhe vinim gurë nën këmbët tona për të parë ndeshjet”, tha historiani dhe gazetari i sportit në Katar, Sulltan Jassem, kur u pyet për stadiumin modest dhe historik të këtij vendi. “Si fëmijë nuk kishim para. Kur erdhën yj të mëdhenj si Pele, Clay dhe Michel Platini, ne ishim duke ëndërruar dhe kishim frikë se mos nuk mund të shikonim”.

Ngjarja më e madhe e mbajtur në këtë stadium mbetet meçi i boksit i Muhammad Aliut.

“Meçi i vitit 1971 në Katar solli një aromë të veçantë sportive dhe përmirësoi reputacionin e vendit tonë. Ishte diçka fantastike”, u shpreh Mattar.

Të ngjashme