Stadiumi i Ferronikelit do të bëhet sipas kritereve të UEFA-s, MKRS ndan 1,5 milion €

Drenas | 31 Maj 2018 | 16:18 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi dhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci kanë nënshkruar memorandumin për renovimin e stadiumit aktual të klubit të futbollit “Ferronikeli” dhe shndërrimin e tij stadium të kategorisë së dytë sipas kritereve të UEFA-s.

Ministri Gashi bëri të ditur se MKRS-ja do të ndajë 1 milion e 500 mijë euro për periudhën trevjeçare për këtë projekt.

Gashi ka uruar qytetarët e Drenasit për nënshkrimin e këtij memorandumi.  Ai tha se në takim Lladrovci kërkoi mbështetje për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës e cila i mungon Drenasit, dhe bëri të ditur se do ta përfshijnë në rishikimin e buxhetit për vitin 2019/2020.

“Është kënaqësi që të jem në takim me ju dhe përmes këtu ti urojë qytetarët e Drenasit për nënshkrimin e memorandumit rreth ndërtimit të stadiumit të Drenasit. Projekti është në fazën finale, për tri vjet i kemi paraparë 1 milion e 500 mijë euro. Duke pasur parasysh se Drenasi ka një klub futbolli jashtëzakonisht të mirë dhe sportdashës, kemi qenë të interesuar të nënshkruajmë sot këtë memorandum në mënyrë që ti japim ndihmë komunës për përfundimin e këtij projekti që është jashtëzakonisht kapital për sportin dhe të rinjtë e Drenasit”.

“Është moment i veçantë edhe për faktin se diskutuam tema për kulturën rininë e trashëgiminë. Diskutuam edhe për stadiumin kombëtar. Shume shpejt me komunën e federatën do të ndërtojmë stadiumin ndihmës që do të jetë me bari sintetik. Diskutuam edhe për stadiumin kombëtar, për procedurat deri ku kemi arritur. Kryetari kërkoi të mbështesim në projekte si shtëpia e kulturës që i mungon, projekt i cili do të planifikohet në fazën e rishikimit të buxhetit për vitin 2019/2020. Drenasi shumë shpejt do të fillojë ndërtimin e stadiumit”.

Kryetari Lladrovci tha se me ministrin Gashi u pajtuan që t’i përshpejtojnë punimet në këtë stadium.

Lladrovci tha se do të jap kontributin e tij në punimet për stadiumin nacional i cili sipas tij, është vendosur të ndërtohet në vendin e duhur për shkak se është afër qendrës dhe aeroportit.

“Biseduam për fushën e sportit dhe për fushën e rinisë dhe kulturës. Nënshkruam marrëveshje për vazhdimin e stadiumit Rexhep Rexhepi ku i zhvillon përgatitjet klubi shume i suksesshëm. Ne si Drenas kemi shumë ekipe, edhe të futbollit të vogël si feniksi që është shpallur kampion. Jemi me dy klube në Superligën. Po provojmë të bëjmë ekipin e futbollit edhe të femrave dhe shpresoj që të kemi sukses. Jemi pajtuar që ti përshpejtojmë punimet në Rexhep Rexhepi”.

“I premtova që të gjitha procedurat për zhvillimin e punimeve në stadiumin nacional do të jem i gatshëm të japim kontributin për ndërtimin e stadiumit dhe që do të ndërtohet në vendin e duhur. Me ministrinë shpresoj të zhvillojmë projektin e shtëpisë së kulturës dhe të jetë në projeksionet buxhetore. Stadiumi është i kategorisë së dyte në garat e UEFA-s”.

Gashi e Lladrovci kanë vizituar stadiumin “Rexhep Rexhepi” dhe lokacionin ku do të ndërtohet stadiumi nacional, raporton EO.

Gjatë ditës ministri Gashi ka nënshkruar tri memorandume mirëkuptimi me kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari, dy në fushën e trashëgimisë kulturore dhe një në fushën e sportit.

 

 

Të ngjashme