Stadiumi i renovuar testohet me superndeshjen Prishtina-Drita, Gashi fton të mbushen tribunat

Prishtinë | 12 Gus 2018 | 14:18 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka ftuar qytetarët që ta mbushin stadiumin e saporenovuar “Fadil Vokrri”, i cili do “të testohet” nesër me ndeshjen e Superkupës ndërmjet KF “Prishtina” dhe KF “Drita”.

Ndeshja mes dy ekipeve, njëra fituese e kampionatit dhe tjetra e Kupës së Kosovë në futboll, nis nga ora 20:00.

Kreu i MKRS-së tha në një konferencë për medie të mbajtur në stadium se ndeshja e nesërme është dhe një test për stadiumin, pas të cilësi pritet drita e gjelbër nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve të tjera, raporton Ekonomia Online.

“I ftoj  të gjithë sportdashësit dhe qytetarët që nesër të jenë në stadium dhe të festojmë në këtë ngjarje të madhe sportive, në këtë stadium që i plotëson kriteret e UEFA-s. U bëj thirrje ‘Dardanëve’, ‘Plisave’ dhe tifozëve të tjerë që të festojnë dhe ta ruajmë këtë pasuri, sepse kemi investuar. Është lojë testuese, por shumë e rëndësishme për sportin në Kosovë se nesër mund ta marrim dritën jeshile që në këtë stadium të zhvillohen edhe ndeshjet e tjera”.

Gashi tha se kjo ndeshje në këtë stadium është moment historik dhe i veçantë pas përkushtimit dhe punës së të gjithë të përfshirëve në rinovimin e stadiumit, i cili tash mban emrin e legjendës së futbollit, Fadil Vokrri, i cili vdiq para disa muajsh.

“Është një moment historik dhe i veçantë pas një përkushtimi të madh të të gjithë aktorëve dhe një pune të madhe të MKRS-së për të investuar në njërin prej stadiumeve më të bukura të Kosovës”.

“Nesër do ta shënojmë njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në Kosovë, ky është një moment sa emocional edhe krenar për të gjithë neve që kemi qenë të përfshirë në këtë proces”.

Gashi shtoi se investimi i MKRS-së është në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të avancuar sportin, derisa bëri të ditur se në ndeshjen e nesërme do të vijnë si mysafirë edhe përfaqësues nga UEFA.

Gashi ka shprehur falënderime edhe për kryetarin e ndjerë të Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri, për kontributin e tij në rinovimin e stadiumit, i cili tash mban emrin e tij.

Gashi theksoi se edhe stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë do ta shndërrojnë në stadium të kategorisë së katërt.

“MKRS-ja do të fillojë me investime edhe në stadiumin ‘Adem Jashari’ për ta kthyer në stadium të kategorisë së katërt”.

Gashi tutje bëri të ditur se janë afër finalizimit të studimit të fizibilitetit për stadiumin kombëtar, i cili do të ndërtohet në Drenas.

 

Të ngjashme