Statistika mbresëlënëse e Icardit kundër parisienëve

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Mauro Icardi ishte në formë të mirë gjatë ndeshjes të së mërkurës kundër Saint-Etienne, pasi që arriti të shënojë het-trik, përkundër që e preku topin vetëm 13 herë, në fitoren me rezultat bindës 6:1 të parisienëve.

Fuqia e PSG-së në fazën e sulmit ishte në shfaqje për ndeshjen çerekfinale të Kupës së Ligës kundër Saint-Etienne, ndeshje kjo të cilën skuadra e Thomas Tuchel e fitoi me rezultat 6:1.

Për ta siguruar një fitore me rezultat kaq të thellë, trajneri Tuchel gjeti vend në formacion për katër yje në sulm: Mauro Icardin, Angel Di Marian, Neymarin dhe Kylian Mbappen.

Ky vendim iu shpërblye trajnerit, pasi që Icardi kontribuoi me një het-trik, përfshirë këtu një gol të shënuar në minutën e dytë të ndeshjes, përderisa edhe Neymari dhe Mbappe shënuan  në ndeshjen kundër Saint-Etienne që luajti me dhjetë lojtarë që nga minuta e 31-të.

Sulmuesi argjentinas e preku topin vetëm 13 herë gjashtë ndeshjes dhe i kompletoi vetëm pesë pasime gjatë 72 minutave që ishte në fushën e lojës në Parc des Princes. Megjithatë, ai i shfrytëzoi këto raste kur e kishte topin në këmbë, duke arritur t’i shënojë tri gola.

Këtë gjë e ka sqaruar mesfushori italian Marco Verratti, i cili ishte plot lëvdata për paraqitjen e Icardit, duke thënë se ai nuk e prek topin pasi që e di se topi do ta gjejë atë vetë.

“Ai kurrë nuk e prek topin sepse e di se topi do ta gjejë atë vetë. Dhe me atë top, ai arrin të shënojë”, tha Verratti, në një intervistë të dhënë për Canal+.

“Ai gjithmonë është në dispozicion për ta pranuar topin, kjo është karakteristika e tij kryesor. Ne nuk mendonim se ai do të kishte kaq shumë sukses. Është gjithmonë e vështirë të përshtatesh me një skuadër të re, por ai është një lojtar i mrekullueshëm dhe ne shpresojmë ta vazhdojmë rrugën tonë në këtë mënyrë”./GE 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme