Steven Gerrard emërohet trajner i Aston Villës

Prishtinë | 11 Nën 2021 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Steven Gerrard është emëruar trajner i Aston Villës, duke nënshkruar marrëveshje trivjeçare e gjysmë me klubin e Premierligës.

Villa njoftoi të enjten se e ka emëruar legjendën e Liverpoolit dhe ish-trajnerin e Rangers në postin trajnerit.

“Klubi i Futbollit Aston Villa me kënaqësi njofton se e kemi emëruar Steven Gerrardin trajner të ekipit”, thuhet në njoftimin e Villës.

Gerrard e udhëhoqi Glasgow Rangersin drejt titullit të kampionit në Premiershipin e Skocisë sezonin e kaluar, duke e përfunduar sezonin pa humbje.

Villa u pajtua t’ia paguajë klubit skocez një shumë prej rreth 4 milionë eurove për Gerrardin.

41-vjeçari e udhëhoqi Rangersin nga qershori i vitit 2018 deri në nëntor të këtij viti.

Gerrard do ta zëvendësojë të shkarkuarin Dean Smith në Villa Park.

Villa renditet e 16-ta në Premierligë këtë sezon, vetëm dy pikë larg zonës së rënies nga liga pas 11 ndeshjeve të para të sezonit.

Ndeshja e parë e Gerrardit në stolin e Villës do të jetë kundër Brightonit në Premierligë më 20 nëntor.


Të ngjashme