Strakosha dëshiron ta mposht Buffonin

Prishtinë | 08 Gus 2017 | 09:34 | Nga

Thomas Strakeosha është padyshim një prej futbollistëve të paraqitur më pozitivisht në këtë fazë përgatitore te skuadra e Lazio.

Portieri shqiptar ka akoma dëshirë të çudisë dhe të dielën, në sfidën direkte kundër idhullit Buffon, mund të realizojë përkushtimin definitive. Pas dëmtimit të Marchettit, 22-vjeçari është gjendur i gatshëm menjëherë, duke merituar jo vetëm rolin e titullarit te Lazio, por edhe te përfaqësuesja e Shqipërisë. Performanca e Strakoshës nuk ka kaluar pa u vënë re as nga vetë Gigi Buffon. “Strakoshën e konsideroj një portier të mirë që e meriton këtë debutim. Te Lazio po luan një futboll të mirë dhe kur mungon Marchetti, gjendet gjithmonë gati.

Po bën gjëra të mira”, pat deklaruar Buffon pas ndeshjes Shqipëri-Itali. Më datë 13 gusht, mësuesi dhe nxënësi do të jenë përballë njëri-tjetrit, dhe asnjëri prej tyre nuk do ta ketë të lehtë. Portieri bardhezi do të duhet të sfidohet me Immobile, Anderson dhe Keita, ndërsa Strakosha do të ketë përballë përveç të Dybala e Higuain, edhe të porsa ardhurit Bernardeschi e Douglas Costa.

Ambiciozi Thomas nuk dëshiron të humbasë edhe një herë tjetër, përkundrazi dëshiron të hakmerret për humbjen e pësuar në finalen e Kupës së Italisë, pikërisht kundër Juventusit. Për më tepër për vetë faktin se populli bardhekaltër, i lavdëruar me elozhe nga vetë Strakosha më datë 17 maj, nëpërmjet një postimi në Instagram, nuk e meritonte atë zhgënjim: “Të humbësh një finale është shumë e shëmtuar për një futbollist. Por më vjen edhe më shumë keq që humba përballë këtij publiku që na la vërtetë pa fjalë.

Komplimente për ju!”. Ishte pikërisht ky postimi i portierit të Lazios pas disfatës së pësuar me rezultatin 2-0 përballë Juventusit. Në atë finale, portieri shqiptar ishte mes më të mirëve në fushë dhe dëshiron të përsërisë performancën e tij pas gjashtë ditësh, duke shpresuar që këtë herë të mbetet i pamposhtur.

Inzaghi beson tek ai për vitin e ardhshëm dhe Strakosha pret me padurim momentin për të rinisur të çudisë sërisht. “Stërvitem i qetë dhe i lumtur çdo ditë për të qenë titullar në këtë skuadër. Dua të mbetem gjithmonë i përqendruar dhe të bëj çmos për tu bërë më i fortë. Çfarë pres nga sezoni i ardhshëm? Nuk e di, sigurisht që do të doja të bëja më mirë se vitin e kaluar”, deklaroi Strakosha, i cili ndershmërisht i përgjigjet negativisht pyetjes nëse nevojitet një tjetër portier me më shumë eksperiencë te Lazio: “Sinqerisht jo, jam mirë kështu”. Thomas është i sigurtë dhe nuk ka frikë nga askush. Juventus është paralajmëruar. Ndërkohë Lazio po punon për të gjetur një portier.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme