Sulejman Starova: E ardhmja ime është te Feronikeli

Prishtinë | 29 Pri 2018 | 08:22 | Nga

Menjëherë pas largimit nga drejtimi i Partizanit, Sulejman Starova ka marrë drejtimin e Feronikelit në Kosovë.

Objektivi fillestar i teknikut shqiptar nga presidenti i ekipit ishte lufta për titullin kampion. Megjithatë duke u bazuar në rezultatet e fundit, Feronikeli e ka të pamundur të futet në këtë garë.

Në një intervistë për “RTSH Sport”, Starova është shprehur se do të vazhdojë të jetë trajneri i ekipit kosovar edhe gjatë sezonit të ardhshëm, teksa ka thënë se rezultatet negative të Partizanit kanë ardhur vetëm nga ndërrimet e Dalipit.

“Propozimi për aventurën te Kosova erdhi shumë shpejt, një javë pasi isha larguar nga Partizani dhe më propozoi ofertën e re presidenti i Feronikelit. Ajo që unë pashë ishte se ai kishte ambicie për të ngjitur skuadrën në nivelet më të larta dhe më premtoi që do të investoj për vitin tjetër. Dëshiroja të qëndroja pak pushim, por ambicia e presidentit më bëri që të bëja këtë lëvizje”

“Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të ndryshme, por të jesh në këtë vend është njësoj si të jesh në Gjirokastër. Distanca nga Kosova në Tiranë është 3 orë, po aq sa nga Gjirokastra. E ardhmja ime është të bëj një skuadër më të mirë vitin tjetër, për të pretenduar trofe me Feronikelin. Kjo është e ardhmja ime më e afërt”.

“Ritmet për zhvillimin e futbollit në Kosovë janë të larta si në infrastrukturë dhe në ambicie, pasi këtu njerëzit me biznese të fuqishme nuk mungojnë. Kosova është një tokë që prodhon talente, si kemi rastin e Vllaznisë që shquhet për krijimin e talenteve”.

“Kur je bosh për të bërë fjalë, bën muhabetet e bashkimit të kampionateve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Janë utopike. Ky bashkim sjell vështirësi. Në Kosovë ka konkurrencë të fortë, megjithatë një kampionat me 4 ekipe nga Shqipëria dhe 4 nga Kosova do të ishte më e drejtë”, tha ndër të tjerash Starova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme