Sulm në zemër pas 96 km me biçikletë, Koeman: Tani e kuptoj që isha me fat

Prishtinë | 29 Maj 2020 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Ronald Koeman i është referuar problemit të zemrës, që ai kishte në fillim të majit, i cili e dërgoi me urgjencë në sallën e operacionit. Trajneri hollandez është i vetëdijshëm për fatin e tij. “Unë pata një sulm në zemër (atak kardiak) dhe shkova me urgjencë në spital. Arteria qendrore koronare u bllokua dhe një tjetër ishte ngushtuar. Më kanë vendosur dy stena, – tha ish-lojtari i njohur në një intervistë për “RTL Beau”. – Duke shikuar mbrapa, e kuptoj se isha me fat. Babai im vdiq 75 vjeç nga një arrest kardiak. Siç duket, është një trashëgimi familjare”.

Koeman shpjegoi se si ndodhi gjithçka dhe si filloi të ndjehej keq: “Unë përshkova 96 ​​kilometra në biçikletë me një mik dhe u ktheva në shtëpi. Teksa po pushoja, pata rëndim në gjoks. Fillova të djersij, u bëra shumë i bardhë. Për fat të mirë, gruaja ime ishte në shtëpi dhe telefonoi urgjencën, e cila mori masa të menjëhershme”.

Trajneri, i kërkuar nga Barça në janar për të pasuar Valverde, kishte pasur, në të vërtetë, një vizitë të planifikuar për në mars, për shkak të historisë së tij familjare, e cila u shty deri në qershor për shkak të koronavirusit. Koeman, gjithashtu, iu referua punës së tij me kombëtaren hollandeze në intervistë dhe shtyrjes së Kampionatit Europian për në vitin 2021: “Ne jemi një ekip i mirë, por nëse duam të kemi shanse suksesi, të gjithë lojtarët duhet të japin maksimumin e tyre”. 

Të ngjashme