Sulmuesi i ri i Juventusit bëhet viktimë e racizmit në ndeshjen kundër Cagliarit

Prishtinë | 03 Pri 2019 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi adoleshent i Juventusit, Moise Kean, u bë viktimë e racizmit nga tifozët e pranishëm në tribuna gjatë ndeshjes të së martës kundër Cagliarit, në kuadër të Serisë A.

19-vjeçari i mbajti krahët e ngritur pasi e shënoi golin e dytë në fitoren 2:0 të Juventusit ndaj Cagliarit. A i bëri këtë për të reaguar ndaj thirrjeve raciste në drejtim të tij, mirëpo pas këtij veprimi u përball me abuzim edhe më të madh.

Pas ndeshjes, ai shkroi në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram: “Mënyra më e mirë për t’u përgjigjur ndaj racizmit”.

Trajneri i Juventusit Massimiliano Allegri dhe mbrojtësi Leonardo Bonucci thanë pas ndeshjes se Kean duhet marrë një pjesë të fajit për shkak të festimit të tij.

“Ai nuk duhej të kishte festuar në atë mënyrë. Ai është i ri dhe ende ka shumë për të mësuar, por disa gjëra të caktuara nuk duhet të dëgjohen as nga tribunat”, u shpreh Allegri.

Mbrojtësi italian Bonucci, i cili e shënoi golin e parë të ndeshjes, tha për Sky Sports Italia: “Golat festohen me bashkëlojtarët. Ai mund të kishte festuar ndryshe. Mendoj se faji është 50-50. Moise nuk duhej ta kishte bërë atë dhe tifozët nuk duhej të kishin reaguar në atë mënyrë”.

Megjithatë, Allegri e ndryshoi mendjen dhe deklaratat e tij në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ku tha se tifozët që po bënin gjeste që simbolizojnë majmunin në drejtim të Kean janë idiotë që bëjnë budallallëqe dhe e shkatërrojnë ndeshjet për të gjitha.

“Nuk ke nevojë për inteligjencë të mrekullueshme për t’u përballur me këto situata dhe nuk duhet t’i provokosh njerëzit. Natyrisht, kjo nuk i arsyeton idiotët në tribunë dhe mënyra se si ata reaguan nuk duhet të arsyetohet”, u shpreh Allegri.

“Nuk besoj se të flasësh për këtë gjë gjatë gjithë kohës është ndonjë ndihmë e madhe. Nuk mendoj se ndalja e ndeshjes ndihmon, pasi që jo të gjithë në stadium i bënë ato gjëra”.

“Ne duhet t’i përdorim kamerat, t’i gjejmë ata që po i bëjnë këto gjëra dhe t’i dënojmë ata. Është shumë e thjeshtë, identifikojini ata dhe pezulloni për të gjithë jetën, jo vetëm për një apo dy vjet”.

Bashkëlojtari i Kean në Juventus, Blaise Matuidi, shkoi të protestonte te gjyqtari pas atyre thirrjeve dhe kërcënoi se do ta linte ndeshjen në gjysmë.

Pasi Kean shënoi në minutën e 85-të të ndeshjes, loja u ndal për rreth tre minuta dhe një paralajmërim u dha për tifozët. Ky ishte hapi i parë në procedurën prej tre hapave që ndërmerren në raste të tilla. Në fund, nëse këto gjëra dështojnë, skuadrat e lënë ndeshjen.

Kapiteni i Cagliarit, Luca Ceppitelli, shkoi te tifozët e klubit të tij prapa portës, duke u kërkuar që t’i ndalin thirrjet raciste. Ndërsa, presidenti i Cagliarit, Tommaso Giulini e fajësoi Kean për këtë incident, për shkak të festimit të tij.

“Unë dëgjova fishkëllima, por nëse ata filluan të bëjnë zhurma të kafshëve, e kishin gabim. Ajo që ndodhi në fund ishte për shkak të një festimi që ishte i gabuar dhe do të kishte ndodhur njëjtë me cilindo lojtar tjetër”, ka thënë Giulini.

Edhe Raheem Sterlingu i Manchester Cityt dhe Anglisë përjetoi abuzim të ngjashëm me Kean në ndeshjen kundër Malit të Zi, në kuadër Grupit A për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme