Superkupa e Spanjës organizohet në Arabinë Saudite

Prishtinë | 12 Nën 2019 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Turneu i Superkupës së Spanjës në futboll do të luhet në Arabinë Saudite, në janar të vitit 2020, ka njoftuar Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF) të hënën, duke konfirmuar planin e shumëpërfolur që kishte hasur në kritika të shumta në Spanjë dhe jashtë saj.

“Superkupa e Spanjës do të mbahet në Arabinë Saudite gjatë tre vjetëve të ardhshëm dhe do të mbahet në dimër me synim për të zbutur orarin e ngarkuar, siç kanë kërkuar lojtarët dhe klubet. Falë këtij transformimi, klubet do të jenë në gjendje të planifikojnë më mirë fazën parasezonale. Internacionalizimi i garës do të rrisë vlerën dhe në të njëjtën kohë do të kontribuojë në rritje të pamjes dhe përmirësim të imazhit tonë para kandidaturës për të organizuar Kupën e Botës të vitit 2030”, është thënë në komunikatën e RFEF-së, shkruan sot Koha Ditore.

Federata ka refuzuar të japë informata për vlerën monetare të kësaj marrëveshjeje, por të gjitha të hyrat nga ky turne do të riinvestohen në futbollin amator dhe futboll të femrave, me përjashtim të atyre parave që janë të caktuara për katër klubet që garojnë në këtë turne.

Gazeta spanjolle “ABC” ka njoftuar se federata do të fitojë 35-40 milionë euro në vit nga kjo marrëveshje.
Barcelona është caktuar të përballet me Atletico Madridin, ndërsa Valencia me Real Madridin në turneun e Superkupës që do të mbahet nga 8 deri më 12 janar. Ato ndeshje, si dhe finalja do të mbahen në stadiumin “King Abdullah Sports City”, në Jeddah, me kapacitet 62 mijë ulëse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme