Superliga e Kosovës secilën herë me më pak klube të trofeshme

Prishtinë | 28 Pri 2022 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Fituesin e tre titujve të kampionit dhe tri Kupave, Feronikelin, në Superligën e Kosovës në edicionin e ardhshëm do ta zëvendësojë Trepça ’89, e cila në historinë e vet nuk ka fituar më shumë sesa një titull dhe një Kupë. Ndërsa, Ulpianën në elitë favorit për ta zëvendësuar është Ferizaj, i cili kurrë nuk ka fituar as titull e as Kupë. Histori në veti në Superligë, me 11 tituj e 7 Kupa, mbetet Prishtina, e cila megjithëkëtë ende nuk e ka siguruar mbijetesën në elitë.

Kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të edicionit 2021/22 në Superligën e Kosovës në futboll shumëçka tashmë është qartësuar.

Ballkani tashmë e ka krijuar një epërsi bindëse prej 11 pikësh nga ndjekësit e tij dhe klubit nga Suhareka i mbetet që ta sigurojë vetëm edhe matematikisht titullin e kampionit. Njëherësh, ky do të jetë trofeu i parë në historinë e klubit nga Suhareka, shkruan Gazeta Express.

E në Superligën e këtij edicioni ka edhe shumë klube tjera pa “histori trofesh”. Përpos Ballkanit, edhe Drenica, Malisheva e Ulpiana janë skuadrat që nuk kanë fituar asnjëherë titull kampioni e as Kupë.

Shumë histori me trofe nuk kanë madje as klubet e mëdha si Gjilani apo Llapi. Të dyja këto klube e kanë të fituar veç nga një Kupë shtetërore, por nuk kanë shijuar asnjëherë titull të kampionit. Një kësi titulli e ka fituar Dukagjini në vitin e largët, 1994.

Me dhjetë klube sa i ka, Superliga aktualisht i numëron 18 tituj të kampionit dhe 13 Kupa. Këtë nivel elita e futbollit e gëzon falë Prishtinës e Feronikeli. Klubi nga Drenasi i ka tre tituj të kampionit dhe tri Kupa. Kurse, klubi nga kryeqyteti e mbizotëron “historinë” me njëmbëdhjetë tituj të kampionit dhe shtatë Kupa të Kosovës, që prej vitit 1991 e këndej.

Mirëpo, për fatin e keq të Superligës, përpos Ulpianës, edhe Feronikeli matematikisht e ka humbur tashmë statusin e anëtarit të saj.

Me këtë rast, në edicionin e ardhshëm Superliga do ta ketë edhe një klub të madh më pak pasi fituesi i tre titujve të kampionit dhe tri Kupave do të garojë në Ligën e Parë. Klubin nga Drenasi në Superligë do ta zëvendësojë fituesi i një titulli dhe një Kupe, Trepça ’89.

Ndërsa, Ulpianën pas kurrfarë historie të trofeve, me shumë gjasë do ta zëvendësojë në Superligë klubi tjetër që s’ka fituar asnjëherë titull e Kupë, Ferizaj, i cili në luftë për inkuadrim në elitë i ka 6 pikë më shumë sesa kampionia e vitit 2014, Vushtrria, raporton Gazeta Express.

Në çfarë do lloj varianti, me Trepçën ’89 dhe me Ferizajn apo me Trepçën ’89 e me Vushtrrinë dhe me Ballkanin kampion të ri, Superliga e Kosovës në edicionin e ri do të ketë edhe më pak histori trofesh.

Por, Superliga rrezikon të humbas jashtëzakonisht shumë peshë përmes barazhit. Në këtë pozitë aktualisht është Malisheva me dy pikë më pak sesa Drenica e Dukagjini dhe i ka vetëm pesë pikë më pak sesa Prishtina, tifozët e së cilës po i frikësohen seriozisht përfundimit në “play-out”. Dhe, rënia eventuale e klubit më me nam në futbollin kosovar në Ligën e Parë do ta linte garën elitare pa 11 tituj të kampionit e 7 Kupa, trofe këto që e bëjnë klubin bardh e kaltër me historinë më të begatshme.

Ndërkohë, kategoria e dytë e futbollit kosovar do ta bashkojë klubin e tretë më të trofeshëm, Feronikelin, me shumë klub tjera me nam e me trofe. Aktualisht, në Ligën e Parë të Kosovës garojnë tetë klube që bashkërisht i kanë 19 trofe.

Vlen të theksohet se vite më parë futbolli kosovar ka mbetur pa dy klube të mëdha që ishin shuar shkaku i krizës financiare. Bëhet fjalë për Besianën e Hysin, të cilat klube kishin investuar shumë për nga një titull kampioni dhe nga një Kupë.

Të ngjashme