Synimi final i Haxhi Krasniqit mbetet i njëjtë, titulli i kampionit të botës

Prishtinë | 21 Gus 2020 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Boksieri kosovar Haxhi (Robin) Krasniqi e ka të qartë rrugën drejt synimit të madh. Rruga mund të ndryshojë, siç ndodh shpesh në boksin profesionist, por jo edhe synimi – titulli i kampionit të botës.

Junikasi 33-vjeçar bokson të shtunën në Magdeburg të Gjermanisë. Përballë do ta ketë çekun Stanislav Eschner. Meçi, që zhvillohet në ambient të hapur, Krasniqi beson se do të jetë vetëm një stacion drejt gjërave më të mëdha. Një luftë për titull e pret menjëherë në tetor. Më pas hapa të tjerë drejt synimit të madh.

Ndaj Eschnerit Krasniqi kthehet në ring, ndonëse kthimin e kishte planifikuar për më herët këtë vit. Situata me koronavirus ka ndikuar në planet e tij, si në të gjitha planet e sportistëve në botë.

Ai së fundi ka boksuar më 11 maj të vitit të kaluar. Pra, më shumë se 15 muaj më parë. Kishte humbur nga Stefan Haertel për titull të vërtetë të Evropës (EBU) në kategorinë super të mesme. Me Eschnerin do të boksojë në kategorinë gjysmë të rëndë. Në këtë kategori e planifikon karrierën për të ardhmen.

“Ka kohë që jam duke u përgatitur për kthim në ring dhe jam në formë shumë të mirë, si asnjëherë më parë. Ka kohë që jam i gatshëm për të pranuar çdo ofertë, çdo mundësi. Kjo mundësi erdhi si shpejt, por është dashur ta pranoja. Pasi në meçin e kaluar kam pësuar humbje, më duhet një fitore për të siguruar meçe të tjera që i synoj. Prandaj, e kam pranuar mundësinë, ndonëse erdhi vonë”, ka theksuar Krasniqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme