Szczesny afër të nënshkruajë kontratë të re me Juventusin

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Juventusi raportohet se dëshiron t’ia rinovojë kontratën Wojciech Szczesnyt, pasi ai kishte ngjallur interesim te Manchester Unitedi gjatë afatit kalimtar të verës.

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, kishte raportuar gjatë verës se Manchester Unitedi ishte interesuar te Juventusi për Wojciech Szczesnyn për ta ditur se sa mund t’u kushtojë ai nëse David de Gea largohet nga klubi.

Megjithatë, uebsajti thekson se Juventusi e sheh portierin polak si njërin ndër lojtarët më të vlefshëm për projektin e klubit. Për këtë arsye, ata dëshirojnë t’ia rinovojnë atij kontratën, e cila është e vlefshme deri në vitin 2021.

Për më tepër, bardhezinjtë janë duke u përgatitur për t’i ofruar atij rritje page prej 3.5 milionë eurosh në vit.

29-vjeçari e filloi karrierën e tij si portier profesionist në Arsenal, para se t’i kalonte dy sezonet e ardhshme i huazuar në Romë, 2015-2017.

Ai pastaj iu bashkua skuadrës së “Zonjës së Vjetër”, fillimisht si opsion i dytë ndaj Gianluigi Buffonit dhe pastaj, sezonin e kaluar, u bë portieri i tyre i parë.

Szczesny i ka bërë 69 paraqitje në ndeshje zyrtare me Juventusin, duke e mbajtur portën e paprekur plot 35 herë dhe duke e fituar dy herë radhazi titullin e kampionit të Serisë A.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme