Tahiri i kënaqur me vendin e 37-të në Botërorin e skijimit

Prishtinë | 19 Shk 2021 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Albin Tahiri ka kompletuar dy lëshime të premten në Kampionatin Botëror të skijimit alpin që po mbahet në Cortina d’Ampezzo të Italisë.

Ai kishte kohë të përgjithshme prej 25.91 sekonda më të ngadalshme se fituesi i garës në sllallom të madh. Koha e përgjithshme prej 3:03.16 minuta i mjaftoi për t’u renditur në vend të 37-të në disiplinën e sllallomit të madh.

Në lëshimin e parë Tahiri ishte i 52-ti me kohë prej 1:30.81 minuta. Më të dobët e kishte rezultatin në lëshimin e dytë, 1:32.35 minuta, por që i mjaftoi për t’u renditur në vend të 37-të në këtë disiplinë.

Të dy lëshimet i kompletuan vetëm 44 skitarë. Pra Tahiri la pas vetes shtatë skitarë nga vende si Rumania, Qipro, Portugalia, Irani, Libani e San Marino.

“Mendoj se është rezultat i mirë. Vendi i 37-të në kampionatin botëror nuk është i keq, por më duhet të them se shtegu ishte shumë i vështirë, kishte shumë akull, sidomos në fillim. Ky ishte lëshimi më i gjatë që kam bërë ndonjëherë. Në përgjithësi jam i lumtur që e përfundova garën dhe e vendosa flamurin e Kosovës në pozitën e 37-të në botë”, ka thënë Tahiri për faqen zyrtare të KOK-ut.

Kampion i botës në sllallom të madh u shpall francezi Mathie Faivre me kohë prej 2:37.25 minuta. Luca De Aliprandini i Italisë u rendit i dyti me kohë prej 2:37.88 minuta. Marco Schwarzi Austrisë u rendit i treti me kohë prej 2:38.12 minuta.

Kohë më të mirë se Tahiri kishte Erjon Tola i Shqipërisë. Tola karrierën e zhvillon në Itali, ndërsa Tahiri në Slloveni. Tola në sllallom të madh u rendit i 34-ti me kohë të përgjithshme prej 2:59.27 minuta. Ishte i fundit që rezultatin e përgjithshme e kishte nën 3 minuta.

Skitari tjetër i Kosovës, Arbi Pupovci kishte dështuar në kualifikimet e sllallomit të madh, të enjten. Tahiri e Pupovci të shtunën paraqiten në kualifikimet e sllallomit, me shpresë për t’u paraqitur të dielën në lëshimet finale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme