Talenti shqiptar: “Ëndërroj kthimin te Juventusi”

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Tahiraj shpreson një ditë të rikthehet te Juventusi

Mesfushori 23-vjeçar shqiptar Françesko Tahiraj ishte i ftuari i parë në emisionin “FanZone” në ekranin e Supersport, ku foli për eksperiencën te Hajduku i Splitit dhe ëndrrën për t’u rikthyer një ditë te Juventusi, klub ku edhe e nisi karrierën.

Si e ke kaluar këtë periudhë? A i keni rinisur përgatitjet?
Nuk ka qenë aspak e thjeshtë kjo periudhë, pasi ishte diçka e panjohur për ne, por për fat të mirë kemi rinisur stërvitjen prej gati 3 javësh. Fillimisht stërviteshim në mënyrë individuale, ndërsa këtë javë kemi filluar me grupe me nga 5 lojtarë.

E ndjeni peshën e një klubi kaq të madh si Hajduku i Splitit?
Përgjegjësia është e madhe, pasi është një klub me emër dhe tifozëri të jashtëzakonshme, që pret gjithmonë rezultate pozitive. Megjithatë me mentalitetin e duhur mund të shkojmë përpara.

Pse Hajduku nuk është kaq konkurrues me Dinamon e Zagrebit këto vitet e fundit?
Nuk më takon mua ta them, por mendoj se Dinamo ka bërë një punë shumë të mirë me akademinë dhe prej vitesh është në nivele të larta. Ne tani jemi duke punuar me një trajner si Tudor dhe besoj se shumë shpejt do të rikthehemi në nivele të larta.

A do të donit të riktheheshit një ditë te Juventusi?
Unë jam rritur në Torino dhe Juventusi është skuadra ime e zemrës,. Jam rritur atje qoftë si futbollist e qoftë si njeri, ndaj do të doja të rikthehesha sërish një ditë.

E prisni një ftesë nga Kombëtarja Shqiptare?
Fatmirësisht ftesa më erdhi për miqësoret me San Marinon dhe Slloveninë, por korona na prishi planet. Besoj se shumë shpejt do të jem pjesë e Shqipërisë, por kjo do të varet nga unë dhe mënyra si do të paraqitem në vijimësi.

Cili është idhulli juaj?
Kur kam qenë i vogël, kam pasur idhull Roberto Baggion, por tani nuk kam një lojtar ku të fokusoj inspirimin tim, pasi luaj në role të ndryshme, si pas sulmuesve, ashtu edhe në krahët e mesfushës e mbrojtjes.

Të ngjashme