Tarashaj shkon në Holandë për ta shpëtuar karrierën

Prishtinë | 15 Kor 2019 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

“Shaniu është një talent i ri i jashtëzakonshëm, pa asnjë pikë dyshimi dhe ka një të ardhme të ndritur. Jemi të lumtur që kemi gjetur një lojtar të ri, i cili beson që ekipi ynë është një hap i rëndësishëm për t’u zhvilluar edhe më shumë në karrierë”, ishin fjalët e Roberto Martinezit, që ishte trajner i Evertonit kur ekipi nga Premier League pagoi katër milionë euro dëmshpërblim në janarin e vitit 2016 për ta transferuar sulmuesin Shani Tarashaj nga Grasshoppersi.

Por të dielën ekipi anglez ka bërë të ditur se e ka huazuar Tarashajn te skuadra e Emmenit, që bën gara në Eredivisie të Holandës. Ai është huazuar për dy vjet tek Emmeni, pasi ka kontratë me Evertonin deri në vitin 2021. Ekipi holandez do të paguajë nga 500 mijë euro në vit tek Evertoni, ndërsa lojtarit do t’ia ndajë pagën javore prej 20 mijë eurosh.

“Sulmuesi Shani Tarashaj është pjesë e ekipit tonë, pasi është huazuar nga Evertoni për dy vjet”, ka shkruar Emmeni në rrjetin social Twitter, duke e prezantuar me fanellën e ekipit.

Kjo është hera e katërt dhe e fundit që Tarashaj po largohet nga Evertoni për të mos u kthyer tek ekipi anglez, tek i cili u transferua me bujë të madhe dhe si një yll i së ardhmes. Ai në dy raste është huazuar te Grasshoppersi dhe në një rast tjetër tek Eintracht Frankfurti. Në fakt, 24-vjeçari për tre vjet e gjysmë nuk e ka regjistruar asnjë ndeshje me ekipin e parë të Evertonit, me përjashtim të dy paraqitjeve për ekipin U-23.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme