Të dhënat e nxjerrin Kosovën më të fortë se kundërshtarja e parë

Prishtinë | 08 Dhj 2018 | 08:25 | Nga Ekonomia Online

Vendi i katërt në botërorin “SHBA 1994” është suksesi me të cilin vazhdojnë të mburren bullgarët. Por niveli i Bullgarisë në vitin 1994 duket shumë i largët nga niveli aktual i kësaj përfaqësueseje të futbollit.

Për kohë të gjatë Bullgaria ka pasur lojtarë në nivelet më të larta evropiane, por aktualisht nuk ka të tillë. Kjo, ndër të tjera, bënë që te përfaqësuesja e Kosovës të ketë optimizëm para përballjes me Bullgarinë, shkruan sot Koha Ditore.

Bullgaria është kundërshtarja e parë e Kosovës në kualifikimet për kampionatin evropian të futbollit të vitit 2020. Në kuadër të Grupit A të kualifikues për “Euro 2020”, Kosova e pret Bullgarinë më 25 mars të vitit të ardhshëm, në Prishtinë.

Në Grupin A bëjnë pjesë Anglia, Çekia, Bullgaria, Mali i Zi e Kosova. Bullgaria ishte në vazon e tretë në short e Kosova në vazon e pestë. Por dallimi në cilësi nuk vlerësohet të jetë i madh.

Madje vlerësohet se Kosova ka aktualisht lojtarë që luajnë në nivele më të larta se futbollistët e Bullgarisë. Kosova i ka tre lojtarë në top-pesë ligat evropiane të futbollit, kurse Bullgaria asnjë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme