Te Werder Bremeni janë opimistë se mund të sigurohet mbijetesa në Bundesligë

Prishtinë | 08 Qer 2020 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Werder Bremeni ka kaluar vetëm një stinor jashtë Bundesligës që kur ka nisur Bundesliga në vitin 1963. Ndonëse seria prej 13 ndeshjeve pa fitore në shtëpi e ka dërguar klubin shumë pranë rënies nga elita, zyrtarët e klubit nuk po dorëzohen ende, shkruan agjencia Reuters.

Werderi, që ka luajtur më tepër ndeshje në Bundesligë (1896) sesa çdo skuadër tjetër, zë vendin e parafundit me 25 pikë nga 30 ndeshje. Është tri pikë larg Fortuna Duesseldorfit, që mban pozitën që i garanton zhvillimin e një ndeshje barazhi për të siguruar mbijetesën në elitë. Është gjashtë pikë larg Mainzit, që mban vendin e 15-të, që i siguron mbijetesën.

Werderi ka pësuar 1:0 në shtëpi të dielën nga Wolfsburgu dhe ndeshja e radhës në shtëpi nuk jep shumë arsye për shpresë. Do të pret Bayern Muenchenin më 16 qershor. Është ndeshje në të cilën Bayerni mund ta sigurojë titullin.

Por, Bremeni fillimisht do të luajë si mysafir i klubit të fundit në renditje, Paderbornit, të shtunën dhe trajneri Florian Kohfeldt shpreson për fitore dhe rikthim të fatit.

“Ne kemi edhe katër ndeshje për të arritur synimin real që është evitimi i rënies nga elita. Ajo që na jep kurajë është renditja në tabelë. Nuk jemi shtatë apo tetë pikë larg vendit që na siguron një ndeshje barazhi, por vetëm tri. Kemi edhe katër ndeshje, për të zvogëluar këtë disavantazh”, ka deklaruar Kohfeldt 37-vjeçar.

Për Werderin të dielën nuk luajti shkaku i lëndimit ylli i Kosovës, Milot Rashica.

Drejtori sportiv i Werderit, Frank Baumann, nuk ka humbur shpresat te trajneri i ri.

“Mendoj se ende i kemi gjasat e gjalla. Do të japim çdo gjë dhe do të luftojmë deri në ndeshjen e fundit”, ka thënë Baumann.

Bremeni kishte fituar katër ndeshjet e fundit kampionale në vitin 2004 për të evituar rënien në rang të dytë dhe ishte shumë afër kualifikimit në Ligën e Evropës stinorin e kaluar.

Kohfeldt ka thënë se pret të kthehet Rashica pas lëndimit të kyçit, e po ashtu edhe Niclas Feullkrug, që ka munguar që nga shtatori.

Niclas 27-vjeçar filloi mirë duke shënuar dy gola dhe asistuar një në katër ndeshjet e para, por më pas lëndoi ligamentet e gjurit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme