Te Werderi nuk e vlerësojnë punë të kryer largimin e Rashicës

Prishtinë | 16 Pri 2020 | 20:49 | Nga Ekonomia Online

Milot Rashica pritet të largohet nga Werder Bremeni, por largimi i tij në verë megjithatë nuk është punë e kryer.

Kështu të paktën ka thënë Frank Baumann, drejtor sportiv i Werder Bremenit, njofton Bild.

Këshilltari i Rashicës, Altin Lala ka thënë për KTV-në që Rashica do të largohet dhe se për të po interesohen skuadra të Ligës së Kampionëve. Por te Werderi janë të relaksuar.

“Unë jam tërësisht i relaksuar. Unë e kuptoj Altin Lalën, që një vendim mund të merret në dy apo tri javët e ardhshme, por kjo nuk është patjetër. Ne flasim hapur me Milotin dhe këshilltarin e tij. Nuk është asgjë e re që Miloti është i shqetësuar për të ardhmen e tij dhe se po mendon për hapin e ardhshëm në karrierë. Po ashtu nuk është e re që ka palë të interesuara. Por nuk qëndron se tashmë është e sigurt se do të largohet këtë verë”, ka thënë Baumann, përcjell Bild.

Reprezentuesi i Kosovës, Rashica, ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022. Për skuadrat nga vendet tjera ai do të kushtojë 38 milionë euro.

Të enjten “Kicker” ka raportuar që RB Leipzigu është po ashtu i interesuar për Rashicën. Por sipas burimeve të Bildit, interesimi nuk është edhe shumë i madh. Ai është njëri prej shumë kandidatëve që skuadra e Bundesligës i ka në listën e blerjes. Për Leipzigun, dëmshpërblimi i kërkuar për Rashicën është shumë i lartë.

Ndërkohë sajti i afërt me Werderin, DeichStube ka shkruar po të enjten se Baumann ka lënë të kuptohet se Werderi është i interesuar të shes Rashicën.

“Që ai të largohet, duhet të gjendet diçka që i kënaq të gjitha palët. Ne natyrisht nuk ëndërrojmë. Është goxha e mundshme që Miloti do të largohet nga ne menjëherë në verë”, ka thënë Baumann për DeichStube.

Të ngjashme