Te Zvicra, të shqetësuar se mund ta humbasin talentin Bunjaku

Prishtinë | 22 Pri 2020 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Te Zvicra janë të shqetësuar se talenti i Baselit, Orges Bunjaku mund të vendosë të luajë për Kosovën.

“Kosova dëshiron të na rrëmbejë xhevahirin e Baselit, Bunjaku”, ka qenë titulli i një shkrimi të publikuar në gazetën zvicerane “Blick” të mërkurën.

Sipas kësaj gazete Bunjaku është duke u kontaktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës. Madje “Blick” raporton se Kosova ka një “mënyrë” për ta bindur Bunjakun që të vendos për të. Në rast se Kosova kualifikohet në Kampionatin Evropian, atëherë Bunjaku do të grumbullohet për Evropian.

Kosova luan në plejof për Euro 2020. Në gjysmëfinale do të përballet me Maqedoninë e Veriut e në finale me fituesin e ndeshjes Gjeorgji – Bjellorusi.

Bunjaku 18-vjeçar ka luajtur për Baselin këtë edicion katër ndeshje, por ka bindur në ato minuta sa luajti. Mesfushori qendror është pjesë e U-19 të Zvicrës, për të cilën ka luajtur gjashtë ndeshje dhe ka shënuar tre gola.

Bunjaku madje ka pëlqyer idenë që Kosova po interesohet për të.

“Është një ndjenjë shumë e bukur dhe sigurisht një ofertë interesante”, ka thënë ai. “Unë i kam thënë vetes që nuk do të nxitoj. Po ndjehem në Zvicër si në shtëpi dhe po ndjehem shumë mirë te U-19. Për këtë arsye një vendim të tillë të madh do ta marrë shumë ngadalë me rrethin tim. Fillimisht dua të zhvillohem ende, të përqëndrohem vetëm te Baseli”.

Më herët edhe menaxheri i Kosovës, Bajram Shala kishte treguar se po interesohen për Bunjakun. Ai kishte deklaruar se seleksionuesi Bernard Challandes e njeh mjaft mirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme