Telashet e vërteta fillojnë tani për Italinë, thotë Cassano

Prishtinë | 27 Qer 2021 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Telashet e vërteta për Kombëtares e Italisë fillojnë menjëherë pas fitores së mundimshme kundër Austrisë, pra në rrethin çerekfinal të Euro 2020, sipas Antonio Cassanos, ish-përfaqësuesit të Italisë.

Italia e mundi 2:1 Austrinë në kohën shtesë, pasi nuk pati fitues brenda 90 minutave në 1/8 e finales të shtunën, duke kaluar në çerekfinale shumë më vështirë seç pritej.

Në çerekfinale, Italia do të përballet me fituesin e duelit Belgjikë-Portugali dhe Cassano beson se ky do të jetë një test i mirëfilltë për të kaltrit.

Ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit, i cili i shënoi 10 gola në 39 paraqitje për Italinë, mori pjesë në tri Euro, nga 2004 deri më 2012, para se të pensionohej nga futbolli.

“Tani fillojnë problemet e vërteta për Italinë. Portugalia apo Belgjika në çerekfinale dhe pastaj Spanja apo Franca në gjysmëfinale”, tha Cassano.

“Suksesi kundër Austrisë ma kujton ndeshjen kundër Australisë më 2006: ndeshja më e keqe e këtij ekipi kombëtar. Tani mund vetëm të përmirësohemi”, shtoi ai.

Cassano e lavdëroi trajnerin Roberto Mancini për ndryshimet taktike në pjesën e dytë, pasi Federico Chiesa dhe Matteo Pessina u futën në lojë nga stoli dhe shënuan për ta mbajtur Italinë në Euro 2020.

“Mancini bëri kryevepër me dy ndryshime, por nuk u pajtova me lënien në stol të Manuel Locatellit”, nënvizoi ai.

Të ngjashme