Ter Stegeni i frustruar me rolin e rezervistit te Gjermania

Prishtinë | 13 Sht 2019 | 20:56 | Nga Ekonomia Online

Portieri i Barcelonës, Marc-Andre Ter Stegen, nuk ka mundur të durojë më shumë. Të premten ka shprehur zhgënjimin e tij, meqë vazhdon të jetë rezervë e Manuel Neuerit te Përfaqësuesja e Gjermanisë.

27-vjeçari ka qëndruar në bankën e rezervistëve gjatë ndeshjeve eliminatore për “Euro 2020” që Gjermania i luajti me Holandën dhe Irlandën e Veriut gjatë këtij muaji, transmeton Koha Ditore shkrimin e AFP-së.

Ai ka thënë se kjo është një padrejtësi e madhe që po i bëhet, pasi është siguruar vazhdimisht nga përzgjedhësi Joachim Loew se do ta ketë rastin për t’u dëshmuar si portieri i parë i Gjermanisë në vitin 2019. Ter Stegen prej vitit 2012 është pjesë e përfaqësueses gjermane, por deri më tash ka regjistruar vetëm 22 paraqitje.

“Nuk është lehtë të gjej një shpjegim për atë që po e përjetoj te Gjermania. Unë ende po provoj gjithçka, por eliminatoret e fundit me Gjermaninë ishin një goditje shumë e fortë për mua. Nuk kam pritur një trajtim të tillë, pasi vazhdimisht jam siguruar se do ta kem rastin për të qenë titullar”, ka deklaruar Ter Stegen.

I padiskutueshëm në portën e skuadrës së Barcelonës, Ter Stegen ka pasur vështirësi ta fitojë vendin e titullarit te Gjermania para Manuel Neuerit të Bayernit. Ai ka vetëm një paraqitje me Gjermaninë këtë vit dhe kjo në ndeshjen miqësore ndaj Serbisë të zhvilluar në muajin mars kur u inkuadrua në fillim të pjesëlojës së dytë.

“Nuk po kuptoj asgjë dhe natyrisht që jam i frustruar me këtë situatë”, shtoi Ter Stegen

Loew ka pranuar se Ter Stegen është një portier i mirë dhe e ka përshkruar si të klasit botëror, por ka shtuar se në dy ndeshjet e fundit eliminatore nuk ka dashur të bëjë ndryshime në portë pas humbjes kundër Holandës (4:2), që destabilizoi ekipin.

“Unë kam qenë në Barcelonë dhe kam pasur një bisedë të gjatë me Ter Stegenin, ku i kam premtuar se do ta ketë rastin e tij të jetë titullar gjatë kësaj fushate kualifikuese. Kështu që, ka ende ndeshje deri në fund të këtij viti dhe ai duhet ta presë rastin e tij që besoj do të vijë shumë shpejt”, është shprehur Loew.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme